R2P: Page not found

“The decolonisation of Palestine requires international law to exorcise its colonial demons.” (Dekolonizimi i Palestinës kërkon që e drejta ndërkombëtare të çlirohet nga demonët e vet kolonialë.) Sarah Troian
Ali PAJAZITI, Shkup
Domethënia e shkurtesës R2P nga ky titull është “Responsibility to Protect”, në gjuhën frënge Responsabilité de protéger, kurse shqip: “Përgjegjësia për të mbrojtur”. Kemi të bëjmë me një pikëpamje, sipas së cilës nëse një shtet ushtron gjenocid, krim kundër njerëzimit, shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe pastrim etnik, fuqitë ndërkombëtare kanë të drejtë që të ndërhyjnë për t’i ndaluar veprimet e tilla. Sipas kësaj, nëse një shtet shfaq dobësi për t’i mbrojtur qytetarët e vet dhe nëse veprimet paqësore nuk i japin rezultatet e pritura, bashkësia ndërkombëtare është e detyruar që të ndërhyjë. Kjo ndërhyrje në fillim duhet të nisë me masa detyrimi dhe mund të arrijë deri te embargoja dhe operacionet ushtarake. (Dağ & Pajaziti, 2019)
Koncepti R2P lindi si përgjigje ndaj dështimit të bashkësisë ndërkombëtare për t’u përgjigjur në mënyrë adekuate mizorive masive të kryera në Kongo, Ruandë dhe në ish-Jugosllavi (në veçanti BeH) gjatë viteve 1990. Komiteti Ndërkombëtar për Ndërhyrje dhe Sovranitetin e Shtetit (International Committee on Intervention and State Sovereignty) më 2001 e zhvilloi konceptin e ndërhyrjes humanitare të mbiquajtur R2P, ideologe kryesore e së cilit është Samantha Power, një gazetare dhe autore e librit me ndikim A Problem from Hell: America in the Age of Genocide (Një problem nga ferri: Amerika në epokën e gjenocidit). Power-i, në të, argumentonte se SHBA-ja dhe shtetet e tjera liberale duhet ta përdorin forcën ushtarake për të ndalur krimet kundër njerëzimit në vende të tjera, kudoqofshin dhe kushdoqofshin ato. (Mott, 2024)
Platforma “Përgjegjësia për të mbrojtur”, në mënyrë unanime, u miratua në vitin 2005, në Samitin Botëror të OKB-së, mbledhja më e madhe e krerëve të shteteve dhe qeverive në histori që afirmon “përgjegjësinë për të mbrojtur popullsitë nga gjenocidi, krimet e luftës, pastrimi etnik dhe krimet kundër njerëzimit”. Ky parim është artikuluar në paragrafët 138 dhe 139 të Dokumentit Përfundimtar të Samitit Botëror. (globalr2p.org)
Duke pranuar se dhënia e sovranitetit absolut vendeve brenda kufijve të tyre mund të çojë në mizori, si gjenocidi dhe pastrimi etnik, ekspertët u përpoqën të krijojnë një ekuilibër midis sovranitetit kombëtar dhe nevojës për t’i mbrojtur të drejtat e njeriut. Ideja themelore ishte: OKB-ja ka përgjegjësi për të mbrojtur njerëzit e pambrojtur dhe në rrezik. R2P ia jep OKB-së (dhe vendeve anëtare të saj) të drejtën për ta shkelur sovranitetin e një vendi nëse është e nevojshme për të shpëtuar njerëz të pafajshëm që përballen me tentimin për zhdukje masive, për eliminim nga faqja e dheut. Me fjalë të tjera, vendet që veprojnë brenda sistemit të OKB-së mund t’i përdorin të gjitha mjetet e nevojshme – përfshirë edhe ndërhyrjen ushtarake – për të parandaluar humbjen masive të jetëve njerëzore.
Katër krimet dhe shurdhëria e politikës ndërkombëtare
R2P zbatohet për katër krime të rënda masive: gjenocidi, krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit dhe pastrimi etnik. Tre krimet e para janë të përcaktuara ligjërisht në dokumente të ndryshme ndërkombëtare ligjore, siç janë Konventa e vitit 1948 për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit, Konventat e Gjenevës të vitit 1949 dhe Protokollet Shtesë të tyre të vitit 1977, si dhe Statuti i Romës i vitit 1998 për Gjykatën Penale Ndërkombëtare (ICC). Statusi dhe cilësimi i tyre si krime ndërkombëtare bazohet në bindjen se aktet që lidhen me to cenojnë në mënyrë thelbësore dinjitetin njerëzor, si në kohë paqeje ashtu edhe në kohë lufte.
Një Komision Ekspertësh i Kombeve të Bashkuara, i mandatuar për të hetuar shkeljet e Ligjit Humanitar Ndërkombëtar të kryera në ish-Jugosllavi, e përkufizoi pastrimin etnik si “bërjen e një zone etnikisht homogjene përmes përdorimit të forcës ose frikësimit me qëllim largimin e personave që u përkasin grupeve të caktuara nga ajo hapësirë” dhe si “një politikë të qëllimshme e dizajnuar nga një grup etnik ose fetar për të eliminuar përmes mjeteve të dhunshme, tmerruese dhe terrorizuese, popullsinë civile të një grupi tjetër etnik ose fetar nga zona të caktuara gjeografike”. Komisioni, gjithashtu, deklaroi se praktikat detyruese të përdorura për të larguar popullsinë civile mund të përfshijnë: vrasje, tortura, arrestime dhe burgosje arbitrare, ekzekutime pa gjyq, përdhunime dhe sulme seksuale, lëndime të rënda fizike ndaj civilëve, largim me forcë, zhvendosje dhe deportim të popullatës civile, sulme ushtarake të qëllimshme ose kërcënime për sulme ndaj civilëve dhe zonave civile, përdorimi i civilëve si mburoja njerëzore, shkatërrimi dhe grabitja e pasurisë, si dhe sulmet ndaj spitaleve, personelit mjekësor dhe vendeve që mbajnë emblemën e Kryqit të Kuq/Gjysëmhënës së Kuqe. Nga ajo që dëshmohet çdo ditë në terrenin e Lindjes së Mesme, gjegjësisht në Palestinë, mund të thuhet se të gjitha këto përkufizime vlejnë për atë që është duke ndodhur atje. Ndërkohë qeveria Netanjahu, për momentin, mbetet e shurdhër, e paprekshme dhe e pasanksionuar përkundër prodhimit të një historie trishtuese që vetë populli izraelit e ka përjetuar gjatë LDB-së.
“Noli me tangere”
Tragjedia dhe turpi më i madh i njerëzimit në shekullin XXI, Gaza, vazhdon të përgjaket pamëshirshëm nga “makineria” që shkel të gjitha normat, parimet dhe rregullat e sistemit dhe marrëdhënieve ndërkombëtare. Varri masiv i quajtur Gazë dhe mungesa e një thirrjeje të qartë, të qëndrueshme, të fuqishme dhe vendimtare për “Përgjegjësi për të mbrojtur (R2P) civilët “tregon dobësitë themelore të doktrinës dhe konfirmon argumentet e Hobson-it (2022) mbi izolimin dhe shkëputjen e R2P nga realiteti” Kjo doktrinë është aplikuar në Libinë e vitit 2011 kur u vranë 21,490 persona (0.5% e popullsisë së përgjithshme), u plagosën 19,700 (0.47%) dhe u zhvendosën 435,000 (10.33%) njerëz. Në Gaza nga 7 tetori 2023 janë vrarë 51,201 dhe janë lënduar e gjymtuar 116,869 njerëz (Aljazeera, 20.04.2025).
Sot, dy dekada pas miratimit, koncepti R2P është treguar si fjalë në letër. Ndërsa regjimi Netanjahu e bombardon Gazën deri në shkatërrim total, elitat botërore nuk kanë treguar asnjë interes për ta përmbushur përgjegjësinë e tyre për etikë në MN. Lidhur me konfliktin Rusi-Ukrainë komentuesit kërkojnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë për të shpëtuar ukrainasit e pafajshëm (Mott, 2024), ndërsa në rastin e Gazës sanksionohet çdo mendje që i del krah Palestinës. Bile, edhe në vendet më demokratike dhe më liberale ka raste kur atakohen protestues paqësorë, gazetarë, përjashtohen edhe mësimdhënës universitetesh, ndonëse këto institucione duhet të jenë avangardë dhe gardianë të mendimit ndryshe.
“Rasti Gaza” është një shembull sui generis që flet për një “paprekshmëri morale”, një koncept ky ku disa veprime, individë ose grupe perceptohen si moralisht përtej çdo kritike apo qortimi. Ata konsiderohen të paprekshëm nga gjykimi moral ose ndërhyrja, shpesh për shkak të epërsisë së perceptuar, statusit të tyre ose besimit se ata nuk mund të bëjnë gabim. Disa nuk mbahen përgjegjës për veprimet e tyre ose nuk i nënshtrohen të njëjtit shqyrtim etik si të tjerët. Në gjuhën latine kësaj i thonë “Noli me tangere” (Mos më prek, jam i paprekshëm!)
R2P zbatohet në mënyrë të ndryshme në pjesë të ndryshme të botës, në varësi të marrëdhënieve të tyre me fuqitë dominuese në sistemin ndërkombëtar. Kjo nënkupton se dështimi për të trajtuar çështjet e të drejtave të njeriut në konfliktin izraelito-palestinez do t’i shkaktojë dëme të qëndrueshme vetë paqendërtimit global, duke minuar kështu mundësinë për ndërhyrje të ardhshme kolektive në rajone të tjera. Standardet e dyfishta në zbatimin e parimit të R2P-së i përkeqësojnë edhe më tej tensionet rajonale dhe globale. Sipas Crowley-Wigneau (2024), vuajtjet palestineze shkaktojnë përçarjen e brendshme në Perëndim mes popullatave dhe vendimmarrësve.
Gijotinizimi dhe gozhda e fundit e arkivolit
Lufta aktuale në Gaza, 2023-2025, e shkaktuar nga një sulm irracional-absurd militant palestinez ndaj civilëve izraelitë (komplotizmi “e kanë bërë vetë” bie në ujë para faktit se Hanije me ekipin e vet ditën e sulmit kryen sexhden e falënderimit), sot ka arritur përmasat apokaliptike. Për Chistopher Mott-in (2024), nga Instituti për Paqe dhe Diplomaci, kjo luftë, gjykuar nga pika ku ka mbërritur, sipas të gjitha standardeve që zakonisht përmenden nga mbështetësit e ndërhyrjes humanitare, përbën një rast të përsosur për të thirrur parimin e R2P. Shahzad -i(2025) pohon se Izraeli ka diskriminuar dhe çnjerëzuar plotësisht banorët e Gazës, duke i mbajtur të mbyllur në Burgun më të Madh në Ajër të Hapur në botë, duke ua mohuar ushqimin dhe ilaçet, si dhe të drejtën për të komunikuar me pjesën tjetër të botës.
“Gijotinizimi i Gazës” (Chomsky, 2007) po dëshmon turpin e bashkësisë ndërkombëtare, dizorganizimin total, pafuqinë dhe inekzistencën e botës islame. Ky qytet rrënojë, por i gjallë, kumton se dhuna s’mund ta mposhtë një popull që s’kërkon më shumë se lirinë, vetëpërcaktimin dhe jetën normale, si gjithë të tjerët. Faktet tregojnë se politika dhe lidershipi i shumë vendeve botërore janë treguar oportunistë lidhur me këtë lemeri të kohës.
Sekuencat e trupave të gazasve që fluturojnë në ajër pas bombardimit janë skenat më apokaliptike të modernitetit, që s’do të harrohen kurrë. Ato e brejnë çdo njeri me ndërgjegje të gjallë. Rasti Gaza është një krizë humane dhe humanitare, që ia shemb shtyllat R2P-së (Malik, 2024) dhe rendit global në përgjithësi, është “gozhda e fundit në arkivolin e R2P-së” (Mott, 2024).
Për fund, të zbërthejmë edhe pjesën e dytë të titullit “Page not found” (Faqja nuk u gjet). Ky është një mesazh që shfaqet kur një faqe interneti nuk mund të gjendet ngase është zhvendosur ose nuk ekziston më. E tillë është situata me doktrinën e “përgjegjësisë për të mbrojtur” që lirisht mund të shpallet e vdekur. Sa keq!