Qeveria holandeze do të ndalojë tregtinë e mallrave nga vendbanimet e paligjshme izraelite

Qeveria holandeze ka rënë dakord për një masë që ndalon tregtinë me mallra nga vendbanimet kolone izraelite në territoret e pushtuara palestineze, përfshirë Bregun Perëndimor dhe Lartësitë siriane të Golanit, transmeton Anadolu.
Vendimi u miratua sot nga Këshilli i Ministrave, sipas raportimeve të mediave lokale.
Gazeta onlajn holandeze NU raportoi se kryeministri Rob Jetten ka thënë se masa synon të rrisë presionin ndaj qeverisë së kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu.
“Holanda vazhdon të flasë kundër shkeljeve të së drejtës ndërkombëtare dhe në favor të më shumë ndihme humanitare”, ka thënë Jetten në një konferencë për shtyp pas mbledhjes së kabinetit. “Për të rritur presionin ndaj qeverisë së Netanyahut, kabineti ka miratuar sanksionet”, ka shtuar ai.
Ndalimi zbatohet vetëm për mallrat, pasi ministrat thanë se ekziston “një bazë e qartë” në ligjin evropian për një veprim të tillë. Një ndalim më i gjerë për shërbimet dhe investimet mbetet ende në shqyrtim.
Masa vjen pas një thirrjeje të parlamentit holandez vitin e kaluar për ndalim kombëtar të importeve, pasi një propozim më i gjerë në nivel të Bashkimit Evropian nuk arriti të sigurojë mbështetje unanime nga shtetet anëtare.
Zyrtarët kanë thënë se do të kërkohet bashkëpunim me vende të tjera, përfshirë Belgjikën, për të forcuar zbatimin e masës.
Ndalimi do të mbetet në fuqi për tre vjet, përveç nëse zgjatet ose ndryshohet përmes legjislacionit. Qeveria i ka kërkuar Këshillit të Shtetit një opinion urgjent këshillues për të lehtësuar zbatimin e shpejtë të masës.



