Putin: Rusia është e gatshme për bisedime të paqes me Ukrainën në çdo kohë dhe vend
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se Moska është e gatshme për bisedime të paqes me Ukrainën në çdo kohë dhe vend, transmeton Anadolu.
Duke folur në një konferencë për media në kryeqytetin Hanoi të Vietnamit, që u transmetua drejtpërdrejtë nga Kremlini, Putin tha se pret që Perëndimi të kundërshtojë nismën e tij për paqen në Ukrainë.
Putin vuri në pikëpyetje pse propozimi i Rusisë u quajt “jo realist” dhe pse askush nuk kritikoi në të njëjtën mënyrë “ultimatumin” e Ukrainës që, sipas tij, përmban kushte të papranueshme për Moskën.
Presidenti rus tha se politikanët e arsyeshëm do të mendojnë për propozimin e Rusisë për Ukrainën nëse duan t’i japin fund konfliktit, si dhe paralajmëroi se kushtet mund të ndryshojnë në varësi të situatës në fushën e betejës.
Në të njëjtën kohë, theksoi ai, nëse Kievi e lidh fillimin e negociatave të paqes me tërheqjen e forcave ruse nga Ukraina, atëherë bisedimet nuk do të ndodhin kurrë.
Në lidhje me legjitimitetin e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, Putin tha se pret që ai të zëvendësohet nga Perëndimi në gjysmën e parë të vitit 2025.
Duke komentuar deklaratat e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për vënien në gatishmëri të forcave bërthamore të aleancës, Putin tha se Rusia po monitoron nga afër synimet e tilla dhe do të përgjigjet në mënyrë adekuate nëse ndodh diçka.
Presidenti rus theksoi gjithashtu se autoritetet e vendit po mendojnë për ndryshime në doktrinën bërthamore, sepse “kundërshtarët” ulën pragun për përdorimin e armëve bërthamore.
I pyetur nëse Moska planifikon të përfshijë një sulm bërthamor parandalues në edicionin e ri të doktrinës, Putin tha se “nuk ka nevojë”, duke shpjeguar më tej se forcat ruse janë të afta të zmbrapsin sulmin e kundërshtarit “në kundërsulm”.