Protesta e 40-të para Kryeministrisë, i riu: Shqiptarët kanë vrarë frikën, do të vazhdojmë deri në fund

Protesta masive kundër qeverisë ka shënuar sot ditën e saj të 40-të radhazi, duke dëshmuar një qëndresë të jashtëzakonshme qytetare.
Mesazhet politike dhe revolta në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” sot kanë marrë një nuancë të fortë ironie dhe simbolike nga të rinjtë protestues.
Një grup të rinjsh kanë marshuar drejt godinës së Kryeministrisë duke mbajtur në duar pjata me hallvë, të cilat i kanë vendosur përpara institucionit kryesor të qeverisë.
Sipas traditës, kjo simbolikë lidhet drejtpërdrejt me ceremonitë mortore, dhe përmes këtij akti, rinia protestuese ka dashur të përcjellë mesazhin e “vdekjes së frikës” dhe fundit të kabinetit të Edi Ramës.
Një i ri, duke folur para kryeministrisë në protestën e 40-të, u shpreh se tashmë shqiptarët kanë vrarë frikën dhe se janë gati të përballen me çdo gjë.
Ai u shpreh se sa i takon hallvës që po bëjnë studentët, po përgatitet pikërisht për të 40-at.
“Një diçka për pjesën e hallvës që po bëjnë studentët, i kam këtu nga pas. Janë të 40-tat që shqiptarët kanë vrarë frikën. Ka vdekur frika tek ne dhe kështu do jetë deri në fund. Dalim për atë që mendojmë që duhet dalë dhe kështu do ia bëjmë deri në fund. Për disa është ditë zie, por për ne është ditë gëzimi”. /BalkanWeb/



