Prokuroria ka hapur hetim ndaj pesë personave për vrasjen në Shtip

Prokuroria Themelore Publike në Shtip ka lëshuar Urdhër për zhvillimin e procedurës hetimore ndaj pesë personave, ku i dyshuari kryesor akuzohet si autor i drejtpërdrejtë i veprës penale “vrasje”, si dhe për “prodhim, posedim, ndërmjetësim dhe tregti të paautorizuar me armë ose lëndë shpërthyese”. Katër personat e tjerë janë të dyshuar për “ndihmë autorit pas kryerjes së veprës penale”.

Të gjithë të dyshuarit janë shtetas turq, prej të cilëve tre kishin të regjistruar qëndrim në Shtip, ndërsa autori i vrasjes dhe njëri nga ndihmësit nuk kishin qëndrim të regjistruar në vend.

– Ekziston dyshim i arsyeshëm se i dyshuari kryesor, 21-vjeçar, në fillim të këtij muaji në Shkup ka blerë nga një person i panjohur një pistoletë kalibri 9 mm për shumën prej 1.100 eurosh, me të dhëna të fshira për modelin dhe numrin serik. Më pas, më 8 maj në orët e mbrëmjes, në një kafene në Shtip, me qëllim dhe nga hakmarrja e pamëshirshme, e ka privuar nga jeta një person tjetër, gjithashtu shtetas turk me qëndrim në Shtip – thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Sipas Prokurorisë, i dyshuari përmes aplikacioneve mobile kishte rënë dakord të takohej me viktimën, kinse për të tejkaluar keqkuptimet e gjata mes tyre, por pas një bisede 15-minutëshe në lokal, ai hyri në tualet dhe menjëherë pas daljes, në derën që ndante pjesën e hapur nga ajo e mbyllur e lokalit, e nxori armën dhe qëlloi disa herë drejt viktimës, duke i shkaktuar plagë të shumta nga të cilat ai ndërroi jetë.

Po atë mbrëmje, katër të dyshuarit e tjerë – tre burra dhe një grua, të moshës 22 deri 28 vjeç – e ndihmuan autorin pas kryerjes së veprës, për të cilën është parashikuar dënim me burgim të përjetshëm.

– Në një vend të pacaktuar në Shtip, e morën autorin në një veturë BMW që drejtohej nga e dyshuara dhe të gjithë së bashku u nisën drejt Shkupit. Aty pranë stacionit pagesor Miladinovci në autostradën Shtip–Shkup, u ndaluan nga një patrullë policie dhe u përpoqën të arratiseshin, por u arrestuan – thuhet në deklaratën e Prokurorisë.

Prokurori publik i ka paraqitur gjykatës së procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Shtip propozimin për caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button