Presidenti i Këshillit Europian javën e ardhshme në Ballkan

Presidenti i ri i Këshillit Evropian, António Costa, do të ndërmarrë një vizitë zyrtare në të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor gjatë javës së ardhshme, nga data 12 deri më 16 maj 2025, me qëllim forcimin e bashkëpunimit dhe riafirmimin e përkushtimit të Bashkimit Evropian ndaj rajonit.
Vizita kulmon më 16 maj në Tiranë, ku Presidenti Costa do të bashkë-organizojë Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian (EPC).
“Ka një moment të ri zgjerimi, por momenti ka nevojë për përkushtim dhe veprim konkret”, deklaroi Costa para nisjes së vizitës.
Ai shtoi se rritja e bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është përparësi politike si për BE-në ashtu edhe për të personalisht.
Itinerari i vizitës
Vizita do të nisë të martën, më 13 maj, në Beograd, ku Presidenti Costa do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vučić. Po atë ditë, ai do të udhëtojë në Sarajevë për t’u takuar me anëtarët e Presidencës së Bosnjë e Hercegovinës dhe për të përshëndetur trupat e misionit EUFOR Althea.
Të mërkurën, më 14 maj, ai do të ndalet në Podgoricë për takime me presidentin malazez Jakov Milatović dhe kryeministrin Milojko Spajić. Më pas, ai do të vizitojë Kosovën për një takim me Presidenten Vjosa Osmani-Sadriu.
Të enjten, më 15 maj, vizita do të vazhdojë në Shkup, ku Presidenti Costa do të takojë Kryeministrin Hristijan Mickoski dhe Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.
Po atë ditë, ai do të arrijë në Tiranë për takime me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama, si dhe për një bashkëbisedim me studentë të Kolegjit të Evropës.
Samiti i EPC në Tiranë – 16 maj
Më 16 maj, Costa do të bashkë-organizojë në Tiranë Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, një platformë gjithëpërfshirëse që bashkon liderë të vendeve evropiane për të forcuar bashkëpunimin politik dhe sigurinë kontinentale. Tema e këtij edicioni është: “Evropa e Re në një Botë të Re: Unitet – Bashkëpunim – Veprim i Përbashkët”, dhe diskutimet do të përqendrohen në çështje sigurie dhe vizionin e përbashkët për të ardhmen e Evropës.