Presidenti gjerman Steinmeier: Plani i Trumpit për të marrë kontrollin e Gazës është “i papranueshëm”
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier kritikoi ashpër presidentin amerikan Donald Trump për planin e tij për të marrë nën kontroll Gazën dhe për të zhvendosur përgjithmonë popullsinë e saj palestineze në vende të tjera, raporton Anadolu.
“Një zgjidhje që shpërfill ose madje shkel ligjin ndërkombëtar është e papranueshme”, tha Steinmeier gjatë vizitës së tij në Ankara. Ai shprehu dyshimin e tij për suksesin e mundshëm të bisedimeve të tilla midis administratës Trump dhe shteteve arabe.
Pas takimeve të nivelit të lartë në Arabinë Saudite dhe Jordani, Steinmeier theksoi kundërshtimin e gjerë rajonal ndaj planit të propozuar. Duke folur për mediat gjermane përpara takimit me presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, Steinmeier tha se ai ka hasur në “vetëm zhgënjim, shumë shqetësime dhe në disa raste zemërim të vërtetë” ndaj planit të Trumpit.
Presidenti gjerman theksoi se çdo zgjidhje e qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez duhet të garantojë “siguri për Izraelin dhe vetëvendosje për palestinezët”.
“Kjo është një rrugë e vështirë dhe ndoshta më e gjatë”, tha Steinmeier. “Por kam frikë se shkurtoret arbitrare nga kjo rrugë – veçanërisht ato që shpërfillin ligjin ndërkombëtar dhe rregullat e tij – nuk do të çojnë te qëllimi”.
Komentet e tij pasojnë deklaratën e Trumpit se “SHBA-ja do të marrë Rripin e Gazës” gjatë një konference shtypi të martën në mbrëmje së bashku me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Trump tha se popullsia e Gazës duhet të zhvendoset në vende si Jordania dhe Egjipti, me SHBA-në që do ta kthejë këtë territor në “rivierë të Lindjes së Mesme”.
Propozimi tërhoqi dënime të ashpra nga Palestina dhe u refuzua kategorikisht nga shumë vende, duke përfshirë Kinën, Rusinë, Türkiyen, Spanjën, Francën, Arabinë Saudite dhe Egjiptin.