Policia e Ramës: 33 të arrestuar dhe 41 të proceduar pas protestës në Tiranë, mes tyre 6 të mitur

33 persona janë arrestuar dhe 41 të tjerë janë proceduar penalisht pas protestës së zhvilluar një ditë më parë në Tiranë. Sipas njoftimit të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, gjatë tubimit janë dëmtuar shtatë punonjës policie.
Mes personave të arrestuar janë edhe gjashtë të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç.
Sipas Policisë, të arrestuarit dyshohet se kanë sulmuar me gurë dhe sende të forta efektivët dhe automjetet e uniformave blu. Gjithashtu, ata dyshohet se kanë dëmtuar kosha mbeturinash dhe tabela të sinjalistikës rrugore, duke përdorur sende të forta dhe zjarr.
Në njoftimin zyrtar, Policia bën me dije se gjatë shtatë ditëve të protestave në Tiranë janë arrestuar gjithsej 271 persona.
Nga këta, 51 rezultojnë me precedentë penalë në fusha të ndryshme, përfshirë vrasjen, plagosjen, armëmbajtjen pa leje, prodhimin dhe shitjen e narkotikëve, prostitucionin, vjedhjen, mashtrimin dhe falsifikimin e dokumenteve.
Sipas autoriteteve, në listën e veprave penale për të cilat personat kanë precedentë përfshihen edhe veprat kundër punonjësve të Policisë, shtrëngimi me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, mbajtja pa leje e armëve të ftohta dhe pjesëmarrja në grumbullime të paligjshme.
Gjithashtu, disa prej tyre rezultojnë të kenë precedentë për shkelje në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor.
Policia vijon të dokumentojë rastet e konstatuara gjatë protestave, ndërsa për personat e arrestuar dhe të proceduar penalisht do të ndiqen procedurat përkatëse ligjore.
Njoftimi i plotë i policisë
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje:
– U arrestuan në flagrancë 33 shtetas, konkretisht: Rr. C., 18 vjeç, L. S., 21 vjeç, D. D., 26 vjeç, E. B., 19 vjeç, E. T., 19 vjeç, E. G., 36 vjeç, A. A., 21 vjeç, A. H., 23 vjeç, O. Xh., 18 vjeç, E. H., 19 vjeç, Dh. H., 20 vjeç, A. R., 19 vjeç, T. T., 29 vjeç, A. L., 19 vjeç, A. B., 18 vjeç, B. T., 42 vjeç, D. L., 21 vjeç, F. M., 22 vjeç, G. B., 20 vjeç, L. M., 19 vjeç, Q. M., 22 vjeç, A. S., 20 vjeç, Y. I., 31 vjeç, F. L., 29 vjeç, K. P., 18 vjeç, M. M., 18 vjeç, A. B., 42 vjeç, dhe 6 të mitur, të moshave 15 dhe 17 vjeç.
– U proceduan penalisht 41 shtetas.
Këta shtetas dyshohet se, gjatë tubimit, kanë qëlluar me gurë dhe me sende të tjera të forta në drejtim të punonjësve dhe automjeteve të Policisë, si dhe kanë dëmtuar me sende të forta dhe me zjarr koshat e mbeturinave dhe tabelat e sinjalistikës rrugore.
Si pasojë e sulmit dhe dhunës nga ana e personave të maskuar dhe të dhunshëm gjatë tubimit të djeshëm, janë dëmtuar 7 punonjës policie.
Ndërkohë, theksojmë se gjatë 7 ditëve të protestave të dhunshme janë arrestuar 271 shtetas, nga të cilët 51 me precedentë penalë në fushën e vrasjes, plagosjes, armëmbajtjes pa leje, prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, prostitucionit, shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë, vjedhjes, mashtrimit, falsifikimit të dokumenteve, mbajtjes pa leje të armëve të ftohta, pjesëmarrjes në grumbullime të paligjshme, goditjes/kundërshtimit/mosbindjes ndaj punonjësve të Policisë, si dhe në fushën e mjedisit dhe të qarkullimit rrugor.



