Policia e Kosovës kryen bastisje në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka kryer bastisje në një banesë në afërsi të Shkollës Teknike në Mitrovicë të Veriut, me dyshimin se aty bëheshin falsifikime të dokumenteve, transmeton Anadolu.

Zëvendësdrejtori i Rajonit të Mitrovicës së Veriut në Policinë e Kosovës, Veton Elshani konfirmoi për mediat lokale se paraprakisht Policia kishte pranuar informacione se në një banesë afër Shkollës Teknike ishte duke funksionuar si Degë e Urbanizmit në Komunën e Mitrovicës së Veriut dhe më vonë ky informacion ka dalë i saktë.

Elshani theksoi se nuk ka persona të arrestuar, teksa janë konfiskuar dokumentet e gjetura aty.

“Pasi që është kontaktuar prokurori i rastit, janë konfiskuar dokumentet e gjetura aty, janë intervistuar disa persona dhe rasti si falsifikim i dokumenteve i bashkangjitet rastit të mëhershëm që e kishim me strukturën paralele të Mitrovicës së Veriut”, përfundoi Elshani.

Policia e Kosovës kreu më 26 dhjetor bastisje në rrugën “Dervarit” në Mitrovicë të Veriut, më në një objekt ku dyshohej se bëhej “falsifikim i dokumenteve”. Organet e rendit njoftuan pas aksionit policor se gjatë kontrolleve në këtë objekt u gjetën dhe sekuestruan dokumente dhe kompjuterë të cilat do të përdoren si dëshmi në procedurën hetimore.

Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se institucioni paralel në fjalë u mbyll gjatë ditës së djeshme. “Në respektim të plotë të legjislacionit tonë, në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe të përpjekjeve të përbashkëta në luftim të çdo ilegaliteti brenda vendit tonë, sot është mbyllur edhe një institucion paralel i Serbisë në Mitrovicë të Veriut”, theksoi Sveçla.

Sipas tij, ky institucion jashtëligjshëm ka grumbulluar pagesa nga qytetarët dhe bizneset e shumta për shfrytëzimin e objekteve, që janë kinse nën menaxhimin e tyre.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button