Petrovska: Kompromois me sigurinë e udhëtarëve dhe sigurinë e qiellit të RMV-së nuk guxon të ketë

Trafiku ajror në vend është i sigurt, ndërsa propozimi për shkarkimin e menaxhmentit dhe Bordit të drejtorëve të M-NAV është që të dërgohet mesazhi se kompromis me sigurinë e trafikut ajror – nuk ka dhe nuk guxon të ketë, tha sot Ministrja e Mbrojtjes Sllavjanka Petrovska lidhur me zhvillimet në M-NAV.
“Propozimi për shkarkim është sepse ne duam të dërgojmë mesazhin se kompromis me sigurinë e udhëtarëve dhe sigurinë e qiellit të Maqedonisë nuk do të ketë dhe nuk guxon të ketë. Njëkohësisht, u bëjmë thirrje partive politike dhe lëvizjeve politike në vend që të mos përdorin apo keqpërdorin punësimin apo punonjësit e këtij institucioni për realizimin e agjendës së tyre personale. Ajo që është më e rëndësishme për qytetarët dhe opinionin është që trafiku ajror në Republikën e Maqedonisë të jetë i sigurt dhe të zhvillohet sipas rregullave të “Eurokontrol”, deklaroi Petrovska.
Ajo beson se menaxhmenti i M-NAV-së ka dështuar në qëllimin e vendosjes së rendit dhe disiplinës së punës në institucion.
“Ngjarjet në M-NAV, veçanërisht pamundësia e vendosjes së rendit dhe disiplinës së punës në institucion, si dhe mungesa e dialogut të duhur ndërmjet punëdhënësve dhe Sindikatës, padyshim që shkaktuan valëvitje si në opinion ashtu edhe në institucione. Kryeministri në konsultim me mua si ministër i Mbrojtjes dhe ministër i Transportit dhe Lidhjeve mori një vendim që në seancën e radhës, përkatësisht në seancën e së martës do të propozojë shkarkimin e drejtorëve dhe bordit drejtues të M-NAV-së”, tha Petrovska.



