Pas Sarajevës dhe Beogradit, shefi i CIA-s për vizitë në Kosovë

Shefi i CIA-s, William Burns, ka përfunduar takimin e tij në Presidencën e Kosovës.
Për arsye sigurie, Policia ka kërkuar nga gazetarët të largohen nga zonat pranë institucioneve shtetërore.
Pas përfundimit të takimit, edhe ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, është larguar nga objekti i Presidencës.
Takimi nuk ka zgjatur shumë.
Vizita e Burns në Kosovë vjen pasi zyrtari i lartë i inteligjencës amerikane qëndroi edhe në vendet e tjera të rajonit, Sarajevë dhe Beograd.
Burns është emëruar në pozitën e drejtorit të Agjencisë Qendrore të Inteligjencës së SHBA-së nga Presidenti Joe Biden në janar të vitit 2021.
Ai po ashtu është një figurë qendrore në administratën e presidentit amerikan Joe Biden, pasi është edhe anëtar i kabinetit presidencial të Shtëpisë së Bardhë.
Më herët ai ka qenë ambasador në Rusi.