Partia ultraortodokse izraelite Shas do t’i rekomandojë Netanyahut formimin e qeverisë së ardhshme

Partia ultraortodokse izraelite Shas ka njoftuar se do t’i rekomandojë presidentit Isaac Herzog që ta mandatojë Benjamin Netanyahun për formimin e qeverisë së ardhshme, transmeton Anadolu.
Siç raporton gazeta e përditshme “Yedioth Ahronoth”, Partia Shas bëri të ditur se do të rekomandojë një mandat tjetër për Netanyahun, duke përmendur “deklaratën e tij të qartë dhe të palëkundur për mbështetjen dhe angazhimin e vazhdueshëm për rregullimin e statusit të studentëve të Torës”.
Deklarata nuk dha detaje të mëtejshme lidhur me marrëveshjet e propozuara. Njoftimi vjen përpara konsultimeve të Herzogut me partitë parlamentare, të planifikuara për të mërkurën dhe të enjten, për të përcaktuar se cilit deputet do t’i japë mandatin për të tentuar formimin e qeverisë.
Më herët, liderët e opozitës izraelite ranë dakord të rekomandojnë për kryeministër kreun e partisë Yashar, Gadi Eisenkot, si dhe të nisin negociatat për udhëzimet politike dhe marrëveshjet e koalicionit.
Blloku i Netanyahut ka 53 vende në Knesset-in prej 120 anëtarësh, krahasuar me 48 vende të partive opozitare dhe 19 vende të partive arabe, duke bërë që asnjëri prej dy blloqeve kryesore të mos sigurojë shumicën prej 61 vendesh të nevojshme për formimin e qeverisë.
Komiteti Qendror i Zgjedhjeve pritet të shpallë rezultatet zyrtare dhe përfundimtare të mërkurën.



