Parlamenti grek miraton amendamentin kontrovers për të frenuar fluksin e migrantëve nga Libia

Parlamenti i Greqisë miratoi të premten një amendament të diskutueshëm për të frenuar fluksin e migrantëve nga Libia, transmeton Anadolu.
Amendamenti, i propozuar nga ministria e migracionit, u miratua me mbështetjen e 177 ligjvënësve nga partia qeverisëse e qendrës së djathtë Demokracia e Re, Zgjidhja Greke e krahut të djathtë, si dhe disa deputetëve të pavarur.
Nga 293 ligjvënësit që ishin të pranishëm gjatë votimit në parlament, partia socialdemokrate PASOK dhe NIKI e ekstremit të djathtë abstenuan, ndërsa partitë e majta opozitare SYRIZA, Partia Komuniste Greke (KKE), Kursi i Lirisë dhe e Majta e Re votuan kundër amendamentit.
Amendamenti urdhëron që, për tre muaj, ata që mbërrijnë nëpërmjet detit nga vendet e Afrikës së Veriut pa leje zyrtare do të ndalohen të paraqesin kërkesa për azil. Individët mund të kthehen në vendet e tyre të origjinës ose të nisjes pa regjistrim formal.
Qeveria e justifikon këtë veprim si një ushtrim të autoritetit sovran dhe detyrim kushtetues për të mbrojtur integritetin kombëtar.
Megjithatë, amendamenti shkaktoi shqetësime serioze në vend dhe ndërkombëtarisht.
Agjencia e OKB-së për refugjatët (UNCHR) tha se e njeh presionin e krijuar nga fluksi i migrantëve që vijnë nga Libia në Kretë dhe të drejtën e shteteve për të kontrolluar kufijtë e tyre, por masat në drejtim të amendamentit duhet të jenë në përputhje me ligjin e BE-së dhe atë ndërkombëtar.
Duke nënvizuar se kërkimi i azilit është e drejtë themelore njerëzore, madje edhe në kohë presioni migrator, ajo tha: “Shtetet duhet të sigurojnë që njerëzit që kërkojnë azil të kenë akses në procedurat e azilit. Kthimi i njerëzve në një vend ku ata do të përballeshin me kërcënime për jetën ose lirinë e tyre do të shkelte parimin e moskthimit”.
Po ashtu, të mërkurën, ish-Ministri i Jashtëm Evangelos Venizelos tërhoqi vëmendjen për jokushtetutshmërinë e mundshme të amendamentit, duke kritikuar qeverinë për thirrjen e Nenit 15 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ) për të miratuar masën e jashtëzakonshme.
Gjatë debatit mbi amendamentin, KKE-ja e quajti amendamentin “të turpshëm”.
Ndërkaq,, udhëheqësja e partisë Kursi i Lirisë, Zoi Konstantopoulou, e krahasoi atë me qasjet autoritare të kryeministrit hungarez Viktor Orban dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump.