Palestinezi Muhammed Filne i cili kaloi 34 vjet në burgjet izraelite, shpjegon torturat që kanë përjetuar

Muhammed Filne, i cili kaloi 34 vjet në burgjet izraelite tha se të burgosurit palestinezë janë torturuar dhe se para lirimit të tyre, ushtarët i tërhoqën zvarrë të burgosurit në tokë me duar dhe këmbë të lidhura me pranga, me sy të lidhur dhe se kokat tyre u përplasën pas mureve.

Filne, një nga 110 palestinezët e liruar në raundin e tretë të shkëmbimit të pengjeve mes Izraelit dhe Hamasit, foli për gazetarin e Agjencisë Anadolu (AA).

Palestinezi Filne nga qyteza Safa e qytetit Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar, shpjegoi se u dëbua nga Ramallahu në Rripin e Gazës. Duke vënë në dukje se ata kaluan ditë plot me tortura në burg, Filne shpjegoi kushtet e këqija në burg dhe shkeljet e të drejtave të njeriut që përjetoi përpara lirimit të tij.

Filne tërhoqi vëmendjen në ndryshimin e madh mes të burgosurve palestinezë dhe izraelitë të liruar, duke vënë në dukje se izraelitët u liruan në mënyrë të lumtur me rroba të pastra dhe me dhurata në duar, ndërsa trajtimi i tyre ishte ulës dhe poshtërues.

Ai tha se të burgosurit palestinezë që u konfirmuan se do të liroheshin si pjesë e raundit të tretë të shkëmbimit të pengjeve, u torturuan për orë të gjata nga administrata e burgut izraelit. “Ushtarët izraelitë na prangosën duart dhe këmbët, na lidhën sytë, na tërhoqën zvarrë në tokë, na goditën kokën pas mureve dhe dyerve. Dhe më pas u tallën duke na thënë ‘A jeni të verbër'”, tha Filne.

Orë të tëra torturash

Përjetimet në ditën që u liruan, Filne i përmblodhi duke përshkruar se si ata ishin të ekspozuar ndaj çdo lloj urie dhe sëmundjeje dhe se ata ishin poshtëruar dhe fyer verbalisht.

“Në natën e lirimit, në mënyrë të prangosur na rrahën rëndë nga ora 3 e mëngjesit deri në orën 7 të mëngjesit. Kur do të na lironin, një ushtare izraelite po qante. Kur shoqja e saj e pyeti pse, ajo na tregoi me gisht dhe dha përgjigjen ‘Këta njerëz dolën të gjallë nga këtu, duhet të kishin vdekur’. Më pas na hipën në autobus. Në autobus qëndruam për rreth 4 orë. Ata mbyllën dritaret, dyert dhe kondicinerin. Pothuajse u mbytëm brenda, kërkuam të hapnin kondicinerin. Ata uruan vdekjen tonë”, thotë Filne.

“Në vend që të na dorëzonin te ekipet e Kryqit të Kuq, ata qëllimisht na zbritën nga autobusët duke na shkelmuar në një vend pranë kufirit të Gazës. Njëri nga të burgosurit nuk kishte forcë të ecte për shkak të dhunës dhe rrahjes që kishte pësuar, por iu desh të ecte rreth 500 metra duke u mbajtur tek unë derisa pa ekipet e Kryqit të Kuq. Ushtarët izraelitë na kërcënuan se do të hapnin zjarr nëse nuk do të vazhdonim të ecnim pa u kthyer prapa”, deklaroi Filne.

Pas 7 tetorit, Izraeli kreu “trajtim monstruoz”

Pasi deklaroi se Izraeli i trajtoi të burgosurit palestinezë “në mënyrë monstruoze” pas 7 tetorit 2023, Filne shpjegoi atë që ai përjetoi gjatë asaj periudhe si më poshtë:

“Pas asaj date na shkatërruan në mënyrë të qëllimshme dhomat, na hodhën vaj mbi rrobat tona. Na morën pajisjet elektrike. Na godisnin vazhdimisht, na spërkatnin me gaz lotsjellës. Na shkelmonin, na tërhiqnin zvarrë, na ofendonin si dhe na poshtëronin. Ata bastisnin dhomat me qen në mesnatë. Pas goditjeve një palestinez kishte nevojë për trajtim, nuk e lejuan. Thanë se kur të vdesë e dërgojnë në varr si qen”.

“Në burg ishte e ndaluar të mbaje pasqyrë, nuk e njoha veten kur e pashë kur dola”

Palestinezi Filne u shpreh se të burgosurit palestinezë liheshin të uritur qëllimisht, se kanë humbur shumë peshë, se nuk janë ushqyer mjaftueshëm dhe se ai vetë kishte humbur 35 kilogramë për shkak të kësaj.

“Ndoshta ushqimi që kemi ngrënë në tre vakte nuk i mjafton as një fëmije dy vjeçar. Unë isha aq i rraskapitur saqë kur isha në video-telefonatë me familjen time në Ramallah pasi u lirova, e pashë veten në ekran por nuk e njoha veten. Në shikim të parë mendova se isha një i huaj. Mbajtja e pasqyrës ishte e ndaluar në burg. Të godisnin nëse gjenin madje edhe një pasqyrë të vogël”, shpjegoi Filne.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button