Padi penale kundër ish-drejtorit të Lotarisë Shtetërore, Përparim Bajrami

Drejtoria e Policisë Financiare ka dorëzuar një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup kundër P.B., në cilësinë e drejtorit të Shoqërisë Aksionare për Organizimin e Lojërave të Fatit – Lotaria Shtetërore e Maqedonisë së Veriut, për dyshime të bazuara për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës dhe autorizimit zyrtar.”

“Sipas akuzës, P.B., në cilësinë e drejtorit të Lotarisë Shtetërore, ka keqpërdorur pozitën dhe autorizimet e tij duke nënshkruar më 5 korrik 2023 një kontratë qiraje për hapësira administrative dhe afariste me subjektin juridik HEJ DOOEL Shkup. Këto hapësira nuk ishin të përshtatura për përdorim dhe ishin marrë me qira me një çmim për metër katror të paktën dy herë më të lartë se çmimi real i tregut. Për më tepër, kontrata e qirasë nuk përmbushte kushtet specifike të shpalljes publike, pasi objekti kishte një sipërfaqe më të madhe se ajo e kërkuar dhe nuk përfshinte oborrin, i cili ishte një kusht thelbësor në shpalljen publike.”

I dyshuari kishte vendosur si kusht në shpalljen publike që objekti afarist (pjesa administrative) dhe hapësira e magazinës të kishin një sipërfaqe totale nga 2,000 deri në 2,500 m², por ai nënshkroi kontratën për një hapësirë prej 2,426 m², ndonëse sipërfaqja e përgjithshme e objektit sipas dokumentacionit pronësor ishte 2,924 m². Për të anashkaluar këtë kusht, ai më vonë, gjatë vitit 2024, nënshkroi një kontratë për shërbime për 502 m² të tjera të objektit të marrë me qira.

Gjithashtu, në shpalljen publike ishte paraparë që ofruesi i hapësirës të kishte në pronësi një oborr me hapësirë për të paktën 50 vende parkimi për automjete dhe mjete transporti, por kjo nuk ishte përfshirë në kontratën e qirasë të nënshkruar më 5 korrik 2023. Për më tepër, kontrata e qirasë u nënshkrua me një çmim prej 9 euro për metër katror, ndërkohë që në atë periudhë çmimi për hapësira të ngjashme në zonën e Vizbegovës varionte nga 2.5 deri në 4.5 euro.

Objekti nuk ishte i përshtatur për destinacionin e kontratës, ndaj i dyshuari planifikoi dhe nisi një prokurim publik me vlerë 1.3 milionë euro për renovimin dhe rikonstruksionin e tij, çka do të përbënte një kosto shtesë për Lotarinë Shtetërore, informoi Policia Financiare.

Në këtë mënyrë, P.B., në cilësinë e drejtorit të Lotarisë Shtetërore, nënshkroi një kontratë për hapësira afariste që nuk ishin të përshtatshme për nevojat e institucionit dhe me një çmim mbi atë të tregut. Megjithëse hapësirat nuk u përdorën sipas qëllimit të kontratës, Lotaria Shtetërore i ka paguar subjektit juridik HEJ DOOEL Shkup shumën prej 24,636,045 denarësh.

Me këto veprime, i dyshuari P.B. i ka shkaktuar dëm buxhetit të Lotarisë Shtetërore në vlerë prej 24,636,045 denarësh përmes një kontrate qiraje për hapësira afariste që nuk u përdorën sipas destinacionit të kontratës, thuhet në njoftim.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button