Orban: Putini s’do të sulmonte një vend të NATO-s

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, shprehu bindjen se është e pamundur që presidenti rus, Vladimir Putin, të sulmojë një vend të NATO-s.
“Asnjë njeri serioz nuk mund të thotë për Rusinë se synon ta sulmojë NATO-n”, tha ai në një intervistë për gazetën gjermane, Bild, e cila u publikua të hënën.

Sulmi kundër NATO-s është krejtësisht i pamundur – jo vetëm për Rusinë, por për këdo në botë – pasi është komuniteti më i fuqishëm ushtarak, tha Orban.

Prej se ka nisur pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, Putin ka bërë disa kërcënime – qoftë direkte, qoftë të tërthorta – kundër NATO-s.

Orban shtoi se të gjitha vendet e NATO-s qëndrojnë pas zotimit të tyre për sigurinë kolektive, që do të thotë se sulmi ndaj një aleati të NATO-s është sulm ndaj të gjithëve.

“Rusët kanë një histori dhe kulturë ndryshe; ata e shohin ndryshe nga evropianët edhe lirinë dhe sovranitetin kombëtar”, tha Orbani, i cili takoi Putinin javën e kaluar në Moskë.
“Por, ata janë racionalë, janë hiper-racionalë”, shtoi ai.

Duke folur për zgjedhjet presidenciale në SHBA, që do të mbahen në nëntor, Orban tha se beson se presidenti aktual, Joe Biden, nuk do të rizgjidhet.

Ai e lavdëroi kundërkandidatin republikan të Bidenit, Donald Trump.

“Ai është një biznesmen, është një njeri i vetëkrijuar, ka qasje ndryshe për gjithçka. Dhe, unë mendoj se kjo është gjë e mirë për politikën botërore”, tha Orban për gazetën gjermane.

“Të mos harrojmë se ai është njeri i paqes”, pohoi Orbani, duke shtuar se Trumpi nuk ka nisur asnjë luftë të vetme gjatë katër vjetëve të tij në detyrë.

Orban ka qenë i vetmi kryeministër i një vendi të Bashkimit Evropian që ka shprehur hapur mbështetjen e tij për Trumpin edhe para zgjedhjes së tij president në vitin 2016. /REL

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button