Ibrahimi: Opozita shqiptare në RMV në shërbim të agjendës maqedonase

Zeqirija Ibrahimi, ka akuzuar opozitën shqiptare se po pengon miratimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, duke e cilësuar këtë si një veprim në kundërshtim me interesat e shqiptarëve dhe me frymën e Marrëveshjes së Ohrit.

Në një reagim publik, Ibrahimi rikujtoi se partitë që sot janë në opozitë kanë qenë për 22 vjet në pushtet, por, sipas tij, nuk kanë ndërmarrë hapa për të miratuar një ligj që do ta rregullonte me bazë ligjore përfaqësimin e drejtë dhe adekuat.

“Kjo opozitë shqiptare ka qenë në pushtet 22 vjet dhe, ndonëse e ka pasur gojën plot Marrëveshje të Ohrit, kurrë nuk e ka ngritur çështjen e miratimit të një ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, edhe pse ky ka qenë detyrimi themelor i Marrëveshjes së Ohrit”, deklaroi Ibrahimi.

Ai kujtoi gjithashtu se opozita shqiptare kishte kërkuar në vitin 2023 heqjen e mekanizmit të njohur si “balancuesi”, duke theksuar se një kërkesë të ngjashme kishte edhe VMRO-DPMNE-ja.

“Kjo opozitë kishte kërkuar më 2023 të hiqet edhe softueri i të ashtuquajturit balancues, me të cilin peshohej përfaqësimi i drejtë i punësimit mbi baza etnike. Çuditërisht, kërkesën e njëjtë të BDI-së dhe LSDM-së e kishte edhe VMRO-DPMNE-ja”, tha ai.

Sipas Ibrahimit, është paradoksale që pikërisht tani, kur shumica parlamentare po përpiqet të miratojë ligjin, opozita shqiptare po e bllokon atë.

“Kur kjo shumicë parlamentare shqiptare më në fund i përvishet punës që të miratojë një ligj për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, është pikërisht kjo opozitë, në krye me Komandant Soravinë, që e bllokon këtë ligj dhe mburret me këtë”, u shpreh ai.

Ibrahimi ngriti disa pyetje për, siç tha, qëndrimin e opozitës shqiptare ndaj kësaj çështjeje.

“A nuk është indikative që kjo opozitë shqiptare ishte bashkë me partitë maqedonase për heqjen e balancuesit dhe është sot përsëri në shërbim të tyre për pengimin e Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat?”, deklaroi ai.

Në fund, lideri i Alternativës kërkoi që opozita të sqarojë arsyet e kundërshtimit të ligjit.

“Nëse partitë maqedonase e pengojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe përfaqësimin e drejtë e adekuat të shqiptarëve, kjo është e pritshme prej tyre. Por pyetja është pse opozita shqiptare është futur në këtë agjendë? Pse ajo u shërben qarqeve që nuk duan të normëzohet me ligj përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i shqiptarëve? Qytetarët shqiptarë kanë të drejtë ta dinë këtë përgjigje”, përfundoi Ibrahimi.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button