OKB: Mbi 52 mijë emigrantë kanë vdekur që nga viti 2014

Organizata Ndërkombëtare e OKB-së për Migracionin (IOM) njoftoi se më shumë se 52.000 njerëz kanë vdekur që nga viti 2014 e deri më tani duke u larguar nga vendet e prekura nga kriza, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim nga IOM-i thuhet se shumica e atyre që kanë migruar filluan udhëtimet e tyre të rrezikshme nga dëshpërimi dhe se këta persona kanë ikur nga pasiguria, konflikti, fatkeqësitë dhe krizat e tjera humanitare.

“Që nga viti 2014 mbi 52 mijë njerëz humbën jetën duke u përpjekur të largohen nga vendet e prekura nga kriza. Kjo shifër përbën gati tre të katërtat e të gjitha vdekjeve të emigrantëve të regjistruara globalisht në të njëjtën periudhë. Këto përfshijnë mbi 39 mijë njerëz që vdiqën në zona krize, të bllokuar në kushte të pasigurta dhe mbi 13.500 njerëz që humbën jetën gjatë përpjekjeve për t’u larguar nga konflikti ose fatkeqësia”, thuhet në deklaratë.

Mbi 5 mijë njerëz që u larguan nga vendi pas zhvillimeve politike në Afganistan në vitin 2021 humbën jetën gjatë kalimeve transit, theksohet në deklaratën ku bëhet e ditur se mbi 3.100 muslimanë Rohingya që ikën nga Mianmari humbën jetën në aksidente anijesh.

Gjithashtu theksohet se Mesdheu Qendror vazhdon të jetë rruga më vdekjeprurëse e migrimit në gjithë botën, me afro 25 mijë njerëz të zhdukur në det.

Më tej vihet në dukje se nuk janë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për të mbrojtur njerëzit që janë në lëvizje për shkak të domosdoshmërisë ndërsa bëhet thirrje për bashkëpunim global për këtë çështje.

Drejtoresha e Përgjithshme e IOM-it, Amy Pope ka thënë se “këto shifra janë një kujtesë tragjike se njerëzit po rrezikojnë jetën e tyre kur nuk kanë më mundësi të sigurta ose të zbatueshme për shkak të pasigurisë, mungesës së mundësive dhe presioneve të tjera”.

Ajo ka potencuar se duhen bërë investime për të krijuar stabilitet dhe mundësi për komunitetet në situata të vështira, duke e bërë kështu migrimin një zgjedhje dhe jo domosdoshmëri.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button