Nota mesatare e maturës shtetërore 3.25 – kapen shumë kopjues tek Ekonomia dhe Mjekësia

Nota mesatare e arritur nga gjimnazistët në provimin e maturës shtetërore në RMV këtë vit është 3.25. Krahasuar me vitet e kaluara vërehet një rënie (3.65 në vitin 2023, 3.78 në vitin 2022 dhe 3.61 në vitin 2021) që sipas Qendrës Shtetërore të Provimeve si institucion kompetent për zbatimin e procesit është rezultat i masave më të rrepta gjatë testimit.

Në provimin ekstern të detyrueshëm në gjuhën amtare më 1 qershor janë regjistruar 14.834 kandidatë, ndërsa më 8 qershor është dhënë lënda zgjedhore dhe testimi është bërë në sallat dhe gjimnazet e shkollave, për një shikueshmëri dhe kontroll më të madh të vëzhguesve mbi studentët.

Siç informoi drejtoresha e Qendrës Shtetërore të Provimeve Biljana Mihajllovska – janë zbuluar 49 nxënës të cilët gjatë testimit kanë përdorur celularin, ndërsa 4 nxënës janë kapur duke kopjuar zgjidhje të bazuara në përgjigjet e marra paraprakisht në pyetjet. Gjatë vlerësimit të testeve, vlerësuesit zbuluan 175 studentë që kopjuan testet, si dhe 22 plagjiatura. 268 studentë të cilët janë urdhëruar për ta ndaluar testimin do të mund të hyjnë në test sërish në periudhën e provimit të gushtit.

Siç tha Mihajlovska, më së shumti shkelje të rregullave për maturën shtetërore janë konstatuar në gjimnazin “Arseni Jovkov” – Shkup, gjithsej 32, pastaj në shkollën e mesme të mjekësisë “Dr.Pançe Karagjozov” – Shkup, ku janë shqiptuar 18 masa. Në “8 Shtatori” – Tetovë janë shqiptuar 14 masa, 13 masa për shkelje të rregullave të testimit janë shqiptuar në “Metodija Mitevski – Brico” – Shkup dhe tek “28 Nëntori” – Dibër. Në gjimnazin “Cvetan Dimov” – Shkup janë shqiptuar 12 masa me largim nga procesi i testimit të maturës shtetërore.

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska, theksoi se sipas rregullave ligjore në vend, por edhe në shumë vende të tjera, matura shtetërore është parakusht për pranim në universitet.

“Unë do të insistoj që testimi i maturës shtetërore të kryhet në amfiteatrot dhe dhomat e tjera të fakulteteve publike ku ka bllokues dhe teknologji të tjera që do të pengojnë përdorimin e pajisjeve të komunikimit gjatë testimit, sepse në shumicën e rasteve kopjimi masiv bëhet përmes përdorimit të telefonave celularë dhe pajisjeve tjera në të cilat janë instaluar aplikacionet e komunikimit”, theksoi Janevska.

Masa e dytë i referohet ndryshimit të rregullave për dhënien e provimit të maturës shtetërore, nga pikëpamja e rritjes së përgjegjësive të personave të përfshirë në proces.

“Duhet të ketë sanksione për vëzhguesit, testuesit dhe për të gjithë ata që ndajnë ambientet me nxënësit që po japin provime dhe bëjnë lëshime duke mbyllur sytë ndaj aktiviteteve të jo korrekte të nxënësve”, tha ministrja.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button