Një muaj nga tragjedia në diskotekën ‘Puls’ në Koçan ku humbën jetën 61 persona

Sot bëhet një muaj nga tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçani, ku humbën jetën 61 persona dhe rreth 200 të tjerë u plagosën. Kjo është fatkeqësia më e madhe që nga shpallja e pavarësisë së shtetit. Hetimet e deritanishme kanë treguar se kanë ekzistuar gabime dhe neglizhenca sistematike ndër vite, ndaj deri tani hetimi përfshin mbi 60 persona fizikë dhe tre juridikë – përfshirë pronarin e diskotekës, kryetarë aktualë dhe ish-kryetarë të komunës së Koçanit, ish-ministra të Ekonomisë, ish-drejtorë të Inspektoratit Shtetëror të Tregut dhe zyrtarë policorë. Hetimi vazhdon dhe në të janë përfshirë 13 prokurorë. Janë kryer shumë kontrolle, janë dëgjuar dëshmitarë dhe janë mbledhur mbi 1000 prova materiale.

Fillimisht, hetimi përfshinte 34 persona fizikë dhe tre juridikë, përfshirë ish-ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi, kryetarin aktual të Koçanit, Ljupço Papazov – i cili dha dorëheqje pas fatkeqësisë – dy ish-kryetarët e komunës Ratko Dimitrievski dhe Nikollço Iliev, si dhe ish-drejtorin e Inspektoratit të Tregut.

Gjatë fundjavës, hetimi u zgjerua me edhe 19 persona të tjerë, përfshirë tre ish-ministra të Ekonomisë, drejtorin aktual dhe dy ish-drejtorë të Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim, tre inspektorë ndërtimi në Komunën e Koçanit, tre zyrtarë nga Ministria e Ekonomisë, dy sekretarë shtetërorë në të njëjtën ministri dhe katër inspektorë tregu nga Inspektorati Shtetëror i Tregut. Hetimi nuk përfshin ministrin aktual të Ekonomisë, Besar Durmishi, sepse, sipas Prokurorisë, nuk ka asnjë provë që ai të ketë qenë i përfshirë në rinovimin e licencës së diskotekës “Puls”.

Dje, me urdhër të prokurorit publik, filloi arrestimi i shtatë punonjësve të policisë, të cilët pritet të paraqiten sot para gjykatësit hetues. Prokurori i Përgjithshëm, Ljupço Kocevski, nuk përjashton mundësinë që edhe persona të tjerë të ndalohen para përfundimit të hetimeve.

Në një intervistë për Televizionin “Telma”, Kocevski deklaroi se objekti “Puls” nuk ishte i panjohur për policinë, por ishte i njohur për gjithë qytetin dhe se për 13 vite nuk ishte kryer asnjë kontroll inspektimi në të.

– Objekti “Puls” nuk ishte i panjohur vetëm për policinë, ai ishte i njohur për gjithë qytetin. I njohur edhe për vetëqeverisjen lokale dhe për të gjitha institucionet përkatëse që duhej të funksiononin. Kjo do të thotë se për 13 vite nuk është kryer asnjë kontroll inspektimi në Koçan, tha Kocevski.

Ai njoftoi se janë siguruar licencat që ka pasur diskoteka nga viti 2012 deri në 2017, të gjitha të lëshuara pa dokumentacionin e plotë të nevojshëm. Sa i përket mjeteve piroteknike të përdorura gjatë koncertit ku ndodhi zjarri, Kocevski tha se po hetohet prej nga janë blerë dhe nëse janë përdorur sipas rregullave.

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, premtoi se të gjithë ata për të cilët ka prova do të përballen me drejtësinë. Në një deklaratë të dhënë të hënën, ai theksoi se hetimi nuk ka përfunduar dhe se askush nuk do të tolerohet.

– Hetimi po drejtohet nga Prokuroria Publike. Ministria e Brendshme ka paraqitur kallëzime penale për të gjithë ata për të cilët, në atë moment, kishte prova. Për çdo person për të cilin janë siguruar prova, është ngritur kallëzim penal, tha Toshkovski.

Disa nga të dyshuarit janë në paraburgim, disa në arrest shtëpie, dhe për disa janë vendosur masa parandaluese.

Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit gjithashtu identifikoi një sërë mangësish në Ligjin për Veprimtari Hoteliere. Regjistrimi i personave fizikë në Regjistrin e veprimtarive hoteliere pa verifikim paraprak nga organet përkatëse nëse plotësohen kushtet minimale teknike, është një nga dobësitë e theksuara nga Komisioni. Rrezik rregullator, sipas tyre, ka edhe në procesin e licencimit, sanksionimin dhe në përcaktimin e veprimtarive të tjera të lejuara përveç asaj hoteliere.

Në këtë fatkeqësi humbën jetën 61 persona, mes tyre edhe anëtarë të grupit muzikor “DNK”.

Zjarri në diskotekën në Koçani ndodhi natën mes 15 dhe 16 marsit gjatë performancës së grupit “DNK”. Humbën jetën gjithsej 61 persona, nga të cilët 59 vdiqën po atë natë. Viktimat ishin të moshës nga 16 deri në 48 vjeç, shumica 24 dhe 26 vjeç. Ndër ta ishin këngëtari i grupit “DNK” Andrej Gjorgjieski, profesoresha e Fakultetit të Arteve Muzikore Sara Projkovska, bateristi Gjorgji Gjorgjiev, si dhe Filip Stevanovski, Aleksandar Kolarov dhe Aleksandar Efremov.

Dy persona vdiqën më vonë si pasojë e plagëve të marra, përfshirë menaxherin e diskotekës, Aleksandar Karakadovski, i cili po trajtohej në Lituani. Ai ishte një nga të dyshuarit, por hetimi ndaj tij tani është ndërprerë.

U plagosën gjithsej 193 persona. Shumica, pas ndihmës së parë në vend, u dërguan për trajtim jashtë vendit. Kostot e trajtimit dhe strehimit të familjarëve të të plagosurve u mbuluan tërësisht nga shteti.

Sipas të dhënave të fundit të shpallura të hënën nga ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, në spitale brenda dhe jashtë vendit po trajtohen ende 57 pacientë, nga të cilët dy janë në gjendje kritike. Nëntë trajtohen në vend, dhe 48 jashtë vendit.

Pas tragjedisë, ndërroi jetë edhe shoferi i ambulancës, Ile Gocevski, i cili gjatë asaj nate transportoi shumë të plagosur drejt Shkupit. Ministri i Shëndetësisë njoftoi se do t’i jepet një dekoratë pas vdekjes për përkushtimin e tij.

Qytetarët kërkojnë drejtësi përmes protestave

Pas tragjedisë në Koçani, u shpall një javë zie kombëtare. U anuluan të gjitha aktivitetet muzikore dhe ngjarjet kulturore, dhe u hapën libra ngushëllimi në Kuvend, Ministrinë e Jashtme dhe ambasadat maqedonase në botë. Ditë zie u shpall edhe në Serbi, Bullgari, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Mal të Zi.

Nëpërmjet protestave paqësore, qytetarët nderuan viktimat dhe kërkuan përgjegjësi nga institucionet.

Një ditë pas zjarrit, në Koçan u mbajt një protestë ku qytetarët kërkuan përgjegjësi për tragjedinë në diskotekën “Puls”. Atëherë u dëmtua edhe kafeneja “Klasik”, që është në pronësi të të njëjtit person që zotëronte diskotekën.

Protesta u mbajtën edhe në Shkup dhe në qytete të tjera të vendit.

Më 5 prill, në Koçani, nën moton “Marshi për engjëjt”, në orën 12:05 – si simbol i reagimit të vonuar institucional – familjarët e viktimave protestuan duke kërkuar drejtësi për fëmijët e tyre. Sipas tyre, nëse institucionet do të kishin bërë punën siç duhet, kjo tragjedi do të ishte shmangur.

Kjo tragjedi i detyroi institucionet të ndërmarrin masa intensive për kontrollimin e objekteve publike dhe lokaleve të natës në vend – për të parë nëse përmbushin kushtet teknike minimale dhe standardet e sigurisë.

Në Kuvend u miratuan ndryshime në Ligjin për Kundërvajtje ndaj Rendit Publik, duke ndaluar përdorimin e mjeteve piroteknike në hapësira të mbyllura. U parashikuan edhe gjoba për personat fizikë dhe juridikë që shkelin këtë ndalim.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button