Një grua gjermane shtrohet në spital për testim ndaj hantavirusit pas vdekjeve në anijen turistike

Një grua gjermane që mund të jetë ekspozuar ndaj hantavirusit gjatë një shpërthimi në një anije turistike është shtruar në një spital në Dusseldorf për teste paraprake, thanë sot autoritetet, transmeton Anadolu.
Gruaja 65-vjeçare u transportua nën masa të rrepta të kontrollit të infeksionit në Spitalin Universitar të Dusseldorfit, ku u pranua në njësinë e sëmundjeve infektive për vëzhgim.
“Pacientja është në gjendje të qëndrueshme”, tha spitali sot në një deklaratë.
“Deri më tani nuk ka prova të infeksionit aktiv, por monitorimi dhe testet e vazhdueshme janë të nevojshme duke pasur parasysh periudhën shumë të ndryshueshme të inkubacionit të virusit”, thuhet në deklaratë.
Gruaja u dërgua me avion në Amsterdam të mërkurën në mbrëmje dhe më pas u transportua nga një konvoj i shërbimeve speciale të urgjencës në një spital në Gjermaninë perëndimore. Konvoji përfshinte disa automjete si një masë paraprake për të parandaluar kontaminimin në rast të ndërlikimeve gjatë tranzitit.
Anija “MV Hondius” me flamur holandez, e cila kishte rreth 150 pasagjerë në bord, raportoi një grumbull rastesh të dyshuara të hantavirusit. Tre pasagjerë kanë vdekur. Anija u nis nga Argjentina, kaloi Atlantikun me ndalesa në ose afër ishujve të izoluar, pastaj u kthye në veri drejt Kepit të Gjelbër pranë bregut veriperëndimor të Afrikës.
Hantavirusi zakonisht përhapet nëpërmjet kontaktit me urinën, jashtëqitjet ose pështymën e brejtësve të infektuar, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Transmetimi nga njeriu te njeriu është i rrallë, por i mundur në kontakt të ngushtë me pacientët simptomatikë.



