Netanyahu “i bindet” Trump, heq dorë nga sulmet ndaj Iranit pas telefonatës me Presidentin amerikan

Izraeli goditi një pikë radari në veri të Teheranit të martën, por u përmbajt nga kryerja e sulmeve të mëtejshme pasi kryeministri Benjamin Netanyahu foli me presidentin e SHBA-së Donald Trump, tha Zyra e Kryeministrit (PMO) në një deklaratë.
Sulmi ndaj Iranit, erdhi pasi zyrtarët izraelitë akuzuan Teheranin për shkelje të armëpushimit duke qëlluar disa raketa drejt Izraelit.
Kryeministri tha se Trump “shprehu vlerësimin e tij të madh për Izraelin” dhe se Netanyahu u zotua të përmbahet nga sulme të mëtejshme.
Telefonata Trump-Netanyahu: Një burim nga Shtëpia e Bardhë i tha CNN se Trump foli me Netanyahun të martën në mëngjes dhe ishte “jashtëzakonisht i vendosur dhe i drejtpërdrejtë”.
“Izraeli nuk do ta sulmojë Iranin. Të gjithë avionët izraelitë do të kthehen në atdheun e tyre”, deklaroi presidenti pas telefonatës.
Agjencia shtetërore e lajmeve e Iranit, Fars, raportoi të martën se u dëgjuan shpërthime në Iranin verior, disa orë pasi Izraeli dhe Irani ranë dakord për armëpushim.
Nga ana tjetër, sipas Izraelit, dy raketa balistike iraniane u lëshuan drejt Izraelit afërsisht tre orë pasi armëpushimi i shpallur nga Trump hyri në fuqi./vizionplus.tv