Në përpjekje për të fshirë kulturën myslimane, Kina ndryshon emrat e fshatrave
Kina ka ndryshuar emrat e qindra fshatrave në rajonin e Xinjiang në një lëvizje që synon të fshijë kulturën myslimane ujgure. Sipas një raporti, një grup fshatrash me emra të lidhur me fenë, historinë ose kulturën e ujgurëve u zëvendësuan.
Fjalë të tilla si “sulltan” dhe “xhami” po zhduken nga emrat e vendeve, për t’u zëvendësuar me terma të tillë si “harmonia” dhe “lumturia”. Ndonëse, ambasada e Kinës në Londër i mohoi akuzat, vitet e fundit, autoritetet kineze janë përpjekur për të asimiluar popullsinë e saj minoritare ujgure. Studiuesit nga organizata me bazë në Norvegji, Uyghur Help, studiuan emrat e fshatrave në Xinjiang nga faqja e internetit e Byrosë Kombëtare të Statistikave të Kinës, gjatë një periudhe 14-vjeçare. Ata zbuluan se emrat e 3600 nga 25 000 fshatrat në Xinjiang u ndryshuan gjatë kësaj kohe.
Gjithashtu, shumë fjalë të mbushura me kuptim për popullsinë ujgure të Kinës si p.sh Hoxhë, Sulltan dhe Bej janë zëvendësuar. Përgjithësisht, fjalët ose emrat e fshatrave janë zëvendësuar me terma që mbajnë ngjyresa nga propaganda diktatoriale.
Në Kinë ka rreth 20 milionë myslimanë. Ndonëse Kina është zyrtarisht një vend ateist, autoritetet thonë se janë tolerante ndaj lirisë fetare, por një numër në rritje provash tregojnë për abuzime sistematike të të drejtave të njeriut kundër popullsisë myslimane ujgure të vendit.