Në Dibër ndahen çelësat e 47 banesave sociale, kryetari i Komunës: Këto projekte përmirësojnë drejtpërdrejt cilësinë e jetës

Në Dibër u mbajt ceremonia e ndarjes së çelësave për 47 banesa sociale, të ndërtuara për qytetarët që kanë përmbushur kushtet sipas thirrjes publike dhe kritereve të përcaktuara me ligj.

Në ceremoni morën pjesë kryeministri Hristijan Mickoski, ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski, drejtori i përgjithshëm i Ndërmarrjes për Ndërtim dhe Menaxhim me Hapësirat Banesore, Marjan Stefanovski, si dhe përfaqësues të pushtetit lokal.

Banesat iu ndanë përfituesve që, në përputhje me thirrjen publike, kanë plotësuar kriteret ligjore. Në mesin e tyre janë persona pa zgjidhje strehimi, fëmijë pa prindër ose pa përkujdesje prindërore pas moshës 18-vjeçare, përfitues të ndihmës minimale të garantuar, si dhe persona të prekur nga fatkeqësi natyrore.

Kryetari i Komunës së Dibrës, në fjalën e tij, shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të institucioneve qeveritare ndaj qytetit, duke theksuar rëndësinë e investimeve për përmirësimin e kushteve të jetesës.

“Projekte të tilla ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve dhe paraqesin një mbështetje të rëndësishme për familjet që kanë nevojë për zgjidhje të çështjes së strehimit”, theksoi kryetari i Komunës.

Ai veçoi edhe investimet e tjera që po realizohen në Dibër, duke përmendur ndërtimin e bulevardit të ri pranë objektit të banesave sociale.

“Po realizohen edhe projekte të tjera infrastrukturore, përfshirë ndërtimin e bulevardit të ri pranë kësaj ndërtese, i cili financohet në kuadër të projekteve nga kredia hungareze. Vlera e këtij investimi për Komunën e Dibrës është rreth 2 milionë euro”, u shpreh ai.

Nga Komuna e Dibrës uruan të gjithë përfituesit e banesave sociale, duke u dëshiruar shëndet, mbarësi dhe gëzim në shtëpitë e tyre të reja.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button