Ndërsa akulli shkrihet, ‘zona e vdekjes’ e Everestit ekspozon trupat e alpinistëve që vdiqën duke ngjitur malin më të lartë në botë
Në shpatet e Everestit, ndryshimet klimatike po rrallojnë borën dhe akullin, duke ekspozuar gjithnjë e më shumë trupat e qindra alpinistëve që vdiqën duke ndjekur ëndrrën e tyre për të ngjitur malin më të lartë në botë.
Midis atyre që ngjiteshin në mal këtë vit, ishte një ekip që nuk synonte majën 8,849 metra, por rrezikonte jetën e tyre për të marrë disa prej kufomave.
Bëhet e ditur se pesë trupa të ngrirë ende të paidentifikuar janë gjetur së fundmi, duke përfshirë një që ishte vetëm mbetje skeletore, si pjesë e fushatës së pastrimit të maleve të Nepalit në Everest dhe majave fqinje Lhotse dhe Nuptse.
Siç raportohet, ekipit të shpëtuesve iu deshën orë të tëra për të copëtuar akullin me sëpata, ndonjëherë duke përdorur ujë të valë për të shkrirë akullin.
“Për shkak të efekteve të ngrohjes globale, trupat po bëhen më të dukshëm, ndërsa mbulesa e borës hollohet”, tha Aditya Karki, major në ushtrinë e Nepalit, i cili drejtoi ekipin prej 12 trupave ushtarak dhe 18 alpinistëve.
Më shumë se 300 njerëz kanë humbur jetën në mal që nga fillimi i ekspeditave në vitet 1920, tetë vetëm këtë sezon, shkruan yahoonews, përcjell Telegrafi.
“Njerëzit besojnë se po hyjnë në një hapësirë hyjnore kur ngjiten në male, por nëse shohin trupa të pajetë në rrugën lart, mund të ketë një efekt negativ”, tha Karki.
Shumë prej tyre janë brenda “zonës së vdekjes”, ku ajri i hollë dhe nivelet e ulëta të oksigjenit rrisin rrezikun e sëmundjes në lartësi.
Alpinistët duhet të kenë sigurim, por çdo mision shpëtimi është me rrezik.
“Është jashtëzakonisht e vështirë”, tha Tshiring Jangbu Sherpa, i cili drejtoi ekspeditën e marrjes së trupave.
“Nxjerrja e trupit jashtë është një pjesë, ulja e tij është një sfidë tjetër”, shtoi Sherpa.
E marrja e kufomave në lartësi të mëdha është një temë e diskutueshme për komunitetin alpinist. Kushton mijëra dollarë dhe për çdo trup nevojiten deri në tetë shpëtimtarë.
Trupat shpesh mbështillen në një qese dhe vendosen në një sajë plastike për t’u tërhequr poshtë më lehtë.
Por, pavarësisht përpjekjeve, mali ende mban sekretet e tij.
Trupi i George Mallory, alpinistit britanik i cili u zhduk gjatë një përpjekjeje për ngjitjen e majës në vitin 1924, u gjet në vitin 1999.
Partneri i tij në ngjitje, Andrew Irvine, nuk është gjetur kurrë, as kamera e tyre, e cila mund të sigurojë prova të një ngjitjeje që do të rishkruante historinë e alpinizmit.