Murtezani dhe Mela takojnë OJQ-të dhe klubet sportive në Dibër: Fonde evropiane për zhvillim dhe mbështetje të rinisë

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, bashkë me kandidatin për kryetar të Komunës së Dibres, Fisnik Mela, zhvilluan sot një takim me organizatat joqeveritare dhe klubet sportive që veprojnë në këtë komunë.
Në takim, ministri Murtezani theksoi rëndësinë e përdorimit strategjik të fondeve evropiane për zhvillim lokal, duke vënë në qendër mbështetjen e rinisë, sektorit civil dhe projekteve me ndikim shoqëror e sportiv.
“Qëllimi ynë është që fondet evropiane të shfrytëzohen në mënyrë të mençur dhe transparente për projekte që i japin jetë komunitetit, që fuqizojnë të rinjtë dhe forcojnë bashkëpunimin mes institucioneve dhe shoqërisë civile,” deklaroi Murtezani.
Nga ana e tij, kandidati për kryetar të Komunës së Dibres, Fisnik Mela, u vlerësua nga ministri si “kuadër i dëshmuar në sektorin privat dhe publik”, i cili përfaqëson “garanci të fortë që të gjitha mjetet dhe resurset do të orientohen drejt zhvillimit të qëndrueshëm të Dibrës”.
Takimi u zhvillua në kuadër të përpjekjeve për të forcuar lidhjet ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale, si dhe për të përfshirë komunitetin në proceset zhvillimore që mbështeten nga fondet e Bashkimit Evropian.