Mucunski përshëndet aksionin e SHBA-së për arrestimin e presidentit venezuelian Maduro

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, ka përshëndetur aksionin e autoriteteve amerikane, në të cilin u arrestua presidenti venezuelian Nicolás Maduro, së bashku me bashkëshorten e tij.
Në një postim në rrjetin social X, Mucunski u shpreh se arrestimi i Madurros dhe përballja e tij me drejtësinë janë për t’u përshëndetur.
“E përshëndes njoftimin e Donald Trump se Nicolás Maduro është arrestuar dhe do të përballet me drejtësinë,” shkroi ai.
Mucunski shprehu gjithashtu vlerësim për Sekretarin amerikan të Shtetit, Marco Rubio, për lidershipin e tij në përballjen me, siç u shpreh, rrjetet narkokriminale të regjimit të Madurros.
“Përgjegjësia është e rëndësishme. Ne qëndrojmë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popullit venezuelian për liri dhe demokraci,” shtoi Mucunski.
Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi më herët në rrjetin social Truth Social se SHBA-ja ka kryer një sulm të madh ajror në Venezuelë dhe se në kuadër të një operacioni të realizuar nga agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit, është arrestuar presidenti Nicolás Maduro dhe bashkëshortja e tij.
Ndërkohë, Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së, Pam Bondi, bëri të ditur se Maduro dhe bashkëshortja e tij, Cilia Flores, janë akuzuar për disa vepra penale që lidhen me drogën dhe armët. Ajo deklaroi se Maduro “së shpejti do të përballet me drejtësinë amerikane në gjykatat e Shteteve të Bashkuara”.



