MPJ: Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është detyrim për të dyja palët
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme respekton plotësisht obligimet e marra nga marrëveshjet ndërkombëtare nënshkruese të Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe Marrëveshjen e Prespës, por ju rikujtojmë se zbatimi i saj është obligim për të dyja palët, thonë MPJ e Maqedonisë së Veriut.
“Në të njëjtën kohë, ne rikonfirmojmë gatishmërinë tonë për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që ofron Marrëveshja e Prespës për të forcuar më tej bashkëpunimin dypalësh në të gjitha fushat me interes të përbashkët. Mbetemi plotësisht të përkushtuar për zbatimin e procesit të integrimit evropian duke rrumbullakuar dhe përmirësuar vazhdimisht reformat e nisura për anëtarësim në BE, si prioriteti ynë kryesor i politikës së jashtme”, thuhet në komunikatën e MPJ-së.
Kjo vjen pasi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis i informoi kolegët e tij gjatë Këshillit Evropian për, siç tha ai, “faktin se presidentja dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut po shkelin drejtpërdrejt Marrëveshjen e Prespës” dhe theksoi se është e nevojshme që të gjithë të kuptojnë se “respektimi i legjislacionit europian kalon padyshim nëpërmjet respektimit me besnikëri të marrëveshjeve ndërkombëtare”.