MPJ franceze mbështet vendimin e GJNP-së për urdhër-arrestin ndaj Netanyahut
Franca do të vazhdojë të mbështesë veprimet e Gjykatës Ndërkombëtare Penale kundër Izraelit, tha të enjten zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme franceze pas urdhër-arrestit të ri të gjykatës për kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e Mbrojtjes Yoav Gallant.
Gjykata garanton “stabilitet ndërkombëtar” dhe duhet të jetë në gjendje të veprojë “në të gjitha situatat në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, tha Christophe Lemoine në një konferencë shtypi në Paris.
“Ne mbështesim veprimin e prokurorit të gjykatës që vepron në pavarësi të plotë… dhe lufta kundër pandëshkueshmërisë është prioriteti ynë. Ne sjellim mbështetje të vazhdueshme për veprimin e GJNP-së, reagimi ynë do të përputhet me ato parime”, shtoi ai.
Lemoine, megjithatë, vuri në dukje se tema e urdhrave ishte “ligjërisht e ndërlikuar” dhe shmangu të thoshte nëse Franca do t’i zbatonte urdhërat.