Ministri Mucunski pret në takim ministrin e Shtetit për Punë të Jashtme të Katarit
"Të dy ministrat ranë dakord që vizita është një konfirmim i vlerave të përbashkëta dhe angazhimit të ndërsjellë për një zhvillim më dinamik të marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në lidhjet ekonomike dhe tregtare"

Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Timço Mucunski, priti sot në takim ministrin e Shtetit për Punë të Jashtme të Katarit, Sultan bin Saad bin Sultan Al Muraikhi, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në vend, transmeton Anadolu.
Sipas një njoftimi nga ministria, të dy ministrat ranë dakord që vizita është një konfirmim i vlerave të përbashkëta dhe angazhimit të ndërsjellë për një zhvillim më dinamik të marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në lidhjet ekonomike dhe tregtare.
“Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet e përgjithshme midis dy vendeve dhe mundësitë për përmirësimin e tyre të mëtejshëm, duke shprehur kënaqësi për bashkëpunimin e deritanishëm, përfshirë edhe në kuadër të organizatave shumëpalëshe. Vëmendje e veçantë iu kushtua zhvillimit të marrëdhënieve ekonomike dhe të biznesit, si dhe potencialit për përmirësimin e bashkëpunimit arsimor dhe kulturor”, thuhet në njoftim.
Në takim gjithashtu u ngritën çështje që lidhen me përmirësimin e kornizës kontraktuale, rivendosjen e linjës ajrore direkte Shkup-Doha, si dhe forma të tjera të bashkëpunimit sektorial.
Bisedimet mbuluan gjithashtu tema me natyrë rajonale dhe ndërkombëtare, duke përfshirë sfidat aktuale globale me interes të përbashkët për të dy vendet.