Mickoski nga Mali i Zi: Bashkëpunimi rajonal, çelës për një Ballkan të qëndrueshëm

Kryeministri Hristijan Mickoski mori pjesë sot, në kuadër të Samitit të Procesit të Berlinit në Mal të Zi, në një drekë pune kushtuar rolit të të rinjve në formësimin e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor.
“Sot mora pjesë në drekën e punës, kushtuar të ardhmes së Procesit të Berlinit dhe rolit të të rinjve në formësimin e së ardhmes së Ballkanit Perëndimor. Bashkëpunimi rajonal, shkëmbimi i ideve dhe krijimi i mundësive të reja janë hapa të rëndësishëm drejt një rajoni të qëndrueshëm dhe të begatë, si dhe drejt përshpejtimit të integrimit evropian”, shkroi kryeministri Mickoski në një postim në profilin e tij në Facebook.
Mickoski kryeson delegacionin e Maqedonisë së Veriut në Samitin që po mbahet në Sveti Stefan, në Mal të Zi, ku u diskutua për ndërlidhjen ekonomike të rajonit, sigurinë dhe përshpejtimin e integrimit në Bashkimin Evropian.
Ai deklaroi më herët se pret mesazhe të fuqishme për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian, si dhe diskutime thelbësore dhe rezultate konkrete nga Samiti i sotëm i Procesit të Berlinit në Mal të Zi.
Samiti shënon përmbylljen e kryesimit të Malit të Zi të Procesit të Berlinit. Përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor, në të merr pjesë edhe kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Friedrich Merz, i cili është mbështetës i fuqishëm i përparimit dhe integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian.
Në deklaratën e tij para fillimit zyrtar të samitit, Mickoski iu referua edhe sfidave aktuale globale, ndër të cilat përmendi luftën në Ukrainë, luftën me Iranin, krizën në tregjet financiare dhe protestat në të gjithë Evropën.
“Po jetojmë në kohë shumë sfiduese. Ndoshta jemi dëshmitarë të disa prej periudhave më sfiduese që njerëzimi mund të kujtojë në këtë shekull: luftës së Rusisë në Ukrainë, si dhe luftës me Iranin, krizës në tregjet financiare, protestave në të gjithë Evropën dhe gjithçkaje që lidhet me to. Prandaj, duhet të gjejmë një mënyrë për të dalë nga kjo situatë në botë, veçanërisht në Evropë, dhe qeveria ime është fuqimisht e përkushtuar të kontribuojë në këtë drejtim”, tha kryeministri.
Procesi i Berlinit është një platformë ndërqeveritare e nisur në vitin 2014 me iniciativën e Gjermanisë, nën drejtimin e kancelares së atëhershme Angela Merkel, me qëllim kryesor përshpejtimin e integrimit evropian dhe thellimin e bashkëpunimit rajonal ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor.



