Mickoski: Edhe pse është më e keqja, nuk kemi kërkuar ndryshimin e kornizës negociuese

Është gënjeshtër që kemi kërkuar ndryshim të Kornizës negociuese, edhe pse e njëjta është katastrofale, më e keqja, tha sot kryeministri Hristijan Mickoski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve se si i komenton njoftimet e fundit nga Brukseli se nuk do të ketë ndryshim në Kornizën Negociatore, transmeton Portalb.mk.

Në lidhje me garancitë që kërkoi, se nuk do të ketë bllokime të reja për shtetin nëse miratoheshin ndryshimet kushtetuese, kryeministri tha:

“Nuk e di kush është ai që do të japë garanci se nuk do të ketë bllokime me negociata dypalëshe në Kornizën Negociatore, nuk e di kush është. E vetmja garanci që ne kemi dhënë është parashtruar para partnerëve tanë strategjikë dhe ky është maksimumi që mund të bëjmë në këtë moment sepse si komb dhe si vend kemi bërë diçka që askush nuk e ka bërë, nuk ka asgjë më shumë për të bërë, ne si qeveri nuk mund të bëjmë asgjë më shumë se kjo. Kjo është vija jonë e kuqe”.

Sipas tij, nëse dikush në Bruksel vendosi të jetë peng i disa politikanëve të mesjetës, të cilët vijnë nga anëtarët e BE-së, “të paktën le të na lënë të zgjidhim detyrat e shtëpisë”.

“Ne kemi një politikë plotësisht të harmonizuar me BE-në, nuk jemi rrezik, le të udhëheqin ata, ne do t’i ndjekim, nëse ata mendojnë se nuk e meritojmë, bazuar në parimin e veprave, dhe jo në parimin e bilateralizimit dhe çështjet mesjetare, të jenë pjesë e familjes evropiane, atëherë është e drejta e tyre. Ne duam të jemi, jemi të gatshëm të bisedojmë me të gjithë, nëse nuk janë të gatshëm do të presim kur të jenë gati”, tha Mickoski.

Kujtojmë se, kryeministri Mickoski para pesë muajsh, në ditën kur u zgjodh qeveria e tij më 24 qershor, në një intervistë për Televizionin 24 tha se nëse ka dëshirë mund të ndryshohet Korniza negociuese me Bashkimin Evropian.

“Nëse ka dëshirë, korniza e negociatave me Bashkimin Evropian mund të ndryshohet. Nëse vërtet duan ta shohin Maqedoninë atje, ka mundësi për këtë, si dhe garanci se nuk do të ketë kushte shtesë bilaterale nga Sofja me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian”, tha atëherë Mickoski.

Ai tha se kur të ketë qeveri politike në Bullgari, është i gatshëm të negociojë për të paktën tre zgjidhje.

“Ne kemi të paktën tre zgjidhje kreative që unë jam gati t’i diskutoj kur të ketë një qeveri politike në Bullgari dhe të cilat besoj se mund të jenë një skenar dalje nga i gjithë procesi”, tha kryeministri në atë kohë.

Menjëherë pas miratimit të përbërjes së re të Komisionit Evropian, komisionerja e re Evropiane për Zgjerim, Marta Kos, në një deklaratë për media dje përsëriti qëndrimin e saj për Maqedoninë e Veriut, se vendi pret ndryshime në Kushtetutë që të përfshijë Bullgarët – asgjë më shumë dhe asgjë më pak. Kjo, tha Kos, është diçka në të cilën KE po mbështetet.

E pyetur nëse pas miratimit të amendamenteve kushtetuese mund të jepen garanci se vendi nuk do të ketë më pengesa në rrugën drejt BE-së, Kos tha se nuk është ajo që mund t’i përgjigjet kësaj pyetjeje.

Për mënyrën se si mund të zgjidhet mosmarrëveshja me Bullgarinë, eurokomisionerja thotë se është e nevojshme të bisedohet sa më shumë edhe me Shkupin edhe me Sofjen.

Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese për të ecur përpara në rrugën eurointegruese.

Ato nënkuptojnë shtimin e bullgarëve dhe kombeve tjera në Kushtetutë.

Kjo vjen si rezultat i asaj që Maqedonia e Veriut pas 17 vitesh me 19 korrik të vitit 2022 filloi bisedimet qasëse me BE-në me mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, pas miratimit të propozimit francez të cilin Maqedonia e Veriut e miratoi më 16 korrik 2022.

Propozimi atë kohë u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme e cila tani është në pushtet.

Ndryshimi i Kushtetutës kërkon shumicë prej dy të tretash.

Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë derisa të bëhen ndryshimet kushtetuese.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button