Mexhiti uron Kurtin për fitoren në Kosovë: Demokracia kosovare po dëshmon pjekuri të plotë

Kryetari i Komunës së Çairit, Izet Mexhiti, ka përgëzuar kryeministrin Albin Kurti dhe Lëvizjen Vetëvendosje për fitoren në zgjedhjet parlamentare në Kosovë, duke e cilësuar rezultatin si një lajm të mirë dhe dëshmi të konsolidimit të demokracisë në vend.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Mexhiti shprehet se fitorja e radhës e Kurtit është edhe më e fuqishme se ajo e zgjedhjeve të kaluara.
“Një sihariq i mirë vie nga Kosova. Edhe një fitore e Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje. I dashuri Albin, është kënaqësi e madhe të shoh fitoren tuaj të re, edhe më të madhe se në zgjedhjet e kaluara”, ka shkruar Mexhiti.
Ai ka vlerësuar procesin zgjedhor si demokratik dhe ka theksuar se Kosova tashmë ka ndërtuar një traditë të qëndrueshme të zgjedhjeve të lira dhe konkurruese.
“Zgjedhjet demokratike të zhvilluara sot, e rikonfirmojnë që Kosova tashmë ka krijuar një traditë të mirëfilltë demokratike, ku ka garë fer dhe të drejtë”, thekson kryetari i Çairit.
Në fund të mesazhit, Mexhiti i ka dërguar urime personale Kurtit nga Shkupi, duke e lidhur simbolikisht fitoren me sukseset politike në rajon.
“I dashur Albin, nga Shkupi i fitoreve, përgëzime për rezultatin tuaj!”, përfundon Mexhiti.



