Meksika fiton lehtësisht ndaj Afrikës së Jugut në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026

Meksika shënoi fitore të lehtë 2-0 ndaj Afrikës së Jugut të enjten në ndeshjen hapëse të Kupës së Botës 2026.

Julian Quiñones realizoi golin e parë të turneut, duke i dhënë Meksikës epërsinë që në minutën e 10-të. Meksika dominoi pjesën e mbetur të pjesës së parë me 10 goditje drejt portës, prej të cilave dy në kuadrat, ndërsa Afrika e Jugut pati vështirësi të krijojë raste.

Afrikano-jugori Teboho Mokoena mori kartonin e parë të verdhë të turneut, ndërsa pak më vonë me karton të verdhë u ndëshkua edhe meksikani Brian Gutierrez.

Menjëherë pas fillimit të pjesës së dytë, Yaya Sithole i Afrikës së Jugut ndaloi një rast të pastër shënimi të Gutierrezit dhe u përjashtua me karton të kuq, i pari i turneut, duke lënë skuadrën e njohur si “Bafana Bafana” me vetëm 10 lojtarë në fushë.

Kartoni i kuq i Sithole ishte i pari në një ndeshje hapëse të Kupës së Botës që nga përjashtimi i Marco Etcheverry të Bolivisë kundër Gjermanisë në vitin 1994.

Duke hyrë në lojë në minutën e 66-të, Gilberto Mora, në moshën 17 vjeçare, u bë lojtari më i ri që ka përfaqësuar Meksikën në një Kupë Bote.

Meksika dyfishoi epërsinë në minutën e 67-të, kur sulmuesi veteran Raul Jimenez shënoi me kokë.

Afrika e Jugut mbeti me nëntë lojtarë në minutën e 85-të, kur Themba Zwane u përjashtua për sjellje të dhunshme. Ishte hera e parë që një skuadër mbetej me nëntë lojtarë në Kupën e Botës që nga përballja mes Portugalisë dhe Holandës në fazën e 1/8-ës së finales në vitin 2006, kur të dyja ekipet patën nga dy lojtarë të përjashtuar.

Edhe meksikani Cesar Montes u ndëshkua direkt me karton të kuq për ndërhyrje që mohoi një rast të qartë shënimi për Khuliso Mudau të Afrikës së Jugut, duke e lënë edhe Meksikën me 10 lojtarë.

Në fund, Meksika u ngjit në krye të renditjes së Grupit A, ndërsa Afrika e Jugut mbetet në fund të tabelës.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button