Mbi 10 mijë dele të ngordhura nga lia, ministri i Bujqësisë premton zgjidhje për blegtorët

Mbi 10.000 dele kanë ngordhur gjatë muajve të fundit nga sëmundja e lisë së dhenve. Kjo sëmundje, e cila prek ripërtypësit e vegjël, ka përfshirë rajonin lindor të vendit dhe u ka shkaktuar dëme të konsiderueshme blegtorëve.
Tani blegtorët janë në ankth nëse do të dëmshpërblehen në mënyrë të drejtë, në përputhje me numrin e krerëve dhe racën e deleve, si dhe nëse do të ruajnë të drejtën për të përfituar subvencione, pasi stanet e tyre kanë mbetur bosh për shkak të ngordhjes së bagëtive.
Sipas rregullave, në vendin ku është konstatuar sëmundja duhet të kalojnë të paktën gjashtë muaj përpara se blegtorët të mund të mbajnë sërish bagëti.
Ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski, njoftoi nga Manastiri se vaksinat kundër lisë së dhenve do të mbërrijnë në vend brenda pak ditësh.
Ministri i Bujqësisë, Borçe Serafimovski, ishte sot në Manastir dhe, i pyetur për problemet me të cilat po përballen fermerët e deleve, premtoi se do të gjenden zgjidhje.
“Procedurat që zbatohen nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë parashikojnë që inspektorët të dalin në terren, të konstatojnë rastet e kafshëve të sëmura dhe ngordhjen e tyre, si dhe të përgatisin një procesverbal. Me këtë procesverbal, blegtorët do të mund t’i drejtohen Agjencisë së Pagesave dhe do të ndiqen të gjitha procedurat e nevojshme, në mënyrë që ata të mos i humbasin pagesat e drejtpërdrejta që u takojnë”, deklaroi Serafimovski.
Ministri tha se situata me sëmundjen po monitorohet nga afër. Ai paralajmëroi një takim me Shoqatën e Mbarështuesve të Deleve, me qëllim gjetjen e zgjidhjeve në interes të blegtorëve.
Sipas tij, situata me linë e dhenve po stabilizohet dhe, për momentin, përhapja e sëmundjes mbetet e kufizuar në rajonin lindor të vendit, një nga zonat më të prekura. Ai shtoi se blegtorët po i zbatojnë të gjitha masat e përcaktuara, përfshirë izolimin e tufave, çka ka ndikuar në uljen e numrit të krerëve të prekur.
Serafimovski bëri të ditur se deri më tani, nga Bashkimi Evropian janë siguruar 450.000 doza vaksinash kundër lisë së dhenve dhe dhive, si dhe është marrë leja për përdorimin e tyre.
Ai tha se vaksinat pritet të mbërrijnë në vend rreth datave 10–11 tetor.



