Mashtrimet dhe veprat penale kundër pronës nxitën rritjen e kriminalitetit në Zvicër nga viti 2022 deri në vitin 2025

Sipas një studimi të publikuar nga dy universitete zvicerane, kriminaliteti në Zvicër është rritur gjatë periudhës 2022-2025, kryesisht për shkak të mashtrimeve dhe veprave penale kundër pronës, ndërsa banorët raportuan se ndiheshin më pak të sigurt, transmeton Anadolu.
“Kjo do të thotë se rritja e krimeve të regjistruara nuk i atribuohet kryesisht gatishmërisë më të madhe për të raportuar veprat penale”, tha Dirk Baier, bashkëdrejtues i projektit ‘Anketa e Kriminalitetit 2025’ dhe profesor në Universitetin e Shkencave të Aplikuara të Cyrihut (ZHAW).
Siç raporton Swissinfo, studimi zbuloi se 15,9 për qind e të anketuarve kishin qenë viktima të mashtrimit gjatë vitit të kaluar, krahasuar me 8,4 për qind në vitin 2022.
Për pothuajse të gjitha veprat penale të shqyrtuara, më shumë të anketuar raportuan se kishin qenë viktima të krimit sesa në anketën e mëparshme, ndërsa përqindja e raportimit të rasteve mbeti kryesisht e pandryshuar.
Veprat penale seksuale përbënin përjashtim, pasi nuk u regjistrua rritje e shkallës së viktimizimit.
Anketa zbuloi gjithashtu se 83,1 për qind e të anketuarve ndiheshin mjaftueshëm ose shumë të sigurt në lagjet e tyre pas rënies së natës, krahasuar me 87,6 për qind në vitin 2022.
Ndërkohë, 37,9 për qind e të anketuarve e konsideronin të pamjaftueshme praninë e policisë në hapësirat publike, krahasuar me 28,9 për qind në vitin 2022. Megjithatë, besimi te policia mbeti i lartë.
Në studim morën pjesë 13.500 persona të moshës 16 deri në 80 vjeç, të cilët jetojnë në Zvicër.
Studiuesit thanë se rënia e ndjenjës së sigurisë duhet të merret seriozisht, pa e ekzagjeruar përmasën e saj.
“Pavarësisht rënies së ndjenjës së sigurisë, popullsia vazhdon ta perceptojë Zvicrën si një vend të sigurt”, tha Nora Markwalder, bashkëdrejtoreshë e projektit dhe profesoreshë në Universitetin e St. Gallenit.
Një raport plotësues mbi dhunën në familje zbuloi se, krahasuar me vitin 2022, nuk kishte ndryshim të përgjithshëm të rëndësishëm në përqindjen e personave që kishin përjetuar të paktën një formë të dhunës në familje gjatë një periudhe pesëvjeçare.
Gratë raportuan raste të tilla në një përqindje më të lartë se burrat, përkatësisht 5,4 për qind kundrejt 2,2 për qind.
Studimi zbuloi gjithashtu një rritje statistikisht të rëndësishme të krimeve të urrejtjes të kryera në familje, krahasuar me vitin 2022.


