Mali i Zi mbyll përkohësisht edhe tre kapituj në negociatat e anëtarësimit me BE-në

Mali i Zi njoftoi se ka mbyllur përkohësisht edhe tre kapituj në negociatat e anëtarësimit me Bashkimin Evropian (BE).
Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq bëri një deklaratë lidhur me negociatat me BE-në përmes llogarisë së tij në X.
Spajiq tha se tre kapituj të tjerë të negociatave për anëtarësimin në BE janë mbyllur përkohësisht, duke e çuar në 21 numrin e përgjithshëm të kapitujve të mbyllur.
Duke theksuar se kapitujt e mbyllur, “Politika Ekonomike dhe Monetare”, “Statistikat” dhe “Politika Sociale dhe Punësimi”, përfaqësojnë tre shtyllat themelore të integrimit evropian, Spajiq i përshkroi ato si “menaxhim të përgjegjshëm ekonomik, hartim të besueshëm të politikave publike dhe përparim shoqëror”.
Spajiq falënderoi Komisionin Evropian dhe secilin prej 27 vendeve anëtare të BE-së si dhe përgëzoi kryesuesit dhe anëtarët e grupeve të punës.
“Deri në këtë moment, qeveria e Malit të Zi i ka përmbushur plotësisht të gjitha detyrimet që janë në kompetencën e saj për fazën përfundimtare të negociatave”, u shpreh Spajiq.
Ai tha se beson që edhe në nivelet e tjera do të sigurohen maturia dhe kompromisi i nevojshëm për ta çuar këtë proces deri në fund.
“Ne vazhdojmë të ecim përpara me vendosmëri, së bashku me partnerët tanë evropianë, drejt anëtarësimit të plotë të Malit të Zi në vitin 2028”, vlerësoi Spajiq.



