Macron: Frustrimi amerikan të drejtohet ndaj Putinit, jo ndaj Ukrainës

Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka deklaruar se “frustrimi amerikan” duhet të drejtohet vetëm ndaj presidentit rus, Vlladimir Putin.
Presidenti Macron përsëriti se Rusia është “agresori” dhe kërkoi nga presidenti Putin të “ndalojë së gënjyeri”.
“Kur presidenti Putin u flet negociatorëve amerikanë, ai u thotë atyre ‘dua paqe’. Kur ai i flet gjithë botës, ai thotë ‘dua paqe’, por ai vazhdon ta bombardojë Ukrainën. Ai vazhdon të vrasë jetë në Ukrainë”, tha Macron për mediat në fund të vizitës së tij në Madagaskar.
Macron theksoi se e vetmja përgjigje që Franca po pret është nëse Rusia është në favor të një armëpushimi pa kushte.
“Nëse ai thotë po, atëherë nesër kemi një armëpushim”, shtoi ai.
Presidenti francez përsëriti angazhimin e Francës për ta mbrojtur të drejtën e ukrainasve për të jetuar në paqe brenda “kufijve të tyre të njohur në nivel ndërkombëtar” dhe dënoi “luftën e agresionit rus”.
“Ne jemi për sovranitetin e popujve dhe për integritetin territorial, duke e respektuar të drejtën ndërkombëtare”, tha ai, duke theksuar se qëndrimi francez është i “përhershëm”.
Ai gjithashtu përshëndeti “përpjekjet e diplomacisë” amerikane” në bisedimet e paqes.
Macron, i shoqëruar nga gruaja e tij, dje mbërriti në Madagaskar në kuadër të një turneu rajonal në jugperëndim të Oqeanit Indian.
Ai e filloi udhëtimin të hënën në Mayotte dhe sot pritet të marrë pjesë në samitin e krerëve të shteteve të Komisionit të Oqeanit Indian (IOC) në Antananarivo, ku do të avokojë për integrimin e Mayottes në këtë organizatë.
Macron duhej të udhëtojë për në Mauritius në fund të vizitës 1-javore në rajon, por e anuloi turneun e fundit për të marrë pjesë në funeralin e Papa Françeskut të shtunën. /TRT Balkan/