Lista e vendeve që kanë njohur Palestinën deri më sot

Presidenti francez Emmanuel Macron deklaroi të mërkurën se Franca planifikon ta njohë shtetin palestinez brenda pak muajve dhe se mund ta bëjë këtë gjatë një konference të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, në qershor, e cila ka për qëllim zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez.

Ai shtoi se, në të njëjtën kohë, disa vende të Lindjes së Mesme mund të njohin zyrtarisht shtetin e Izraelit. Autoriteti Palestinez e përshëndeti njoftimin si “një hap në drejtimin e duhur”.

Në mes të luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza, 10 vende – Meksika, Armenia, Sllovenia, Irlanda, Norvegjia, Spanja, Bahamas, Trinidad dhe Tobago, Xhamajka dhe Barbados – e njohën zyrtarisht shtetin e Palestinës, duke reflektuar një mbështetje në rritje ndërkombëtare.

Njohja e Palestinës forcon pozitën e saj globale, përmirëson kapacitetin për të kërkuar llogari nga autoritetet izraelite për pushtimin, dhe rrit presionin ndaj fuqive perëndimore për të vepruar në drejtim të zgjidhjes me dy shtete.

Cilat vende e njohin Palestinën?
Aktualisht, shteti i Palestinës njihet si një komb sovran nga 147 prej 193 vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, që përfaqësojnë 75 për qind të komunitetit ndërkombëtar. Ai njihet gjithashtu nga Selia e Shenjtë – organi drejtues i Kishës Katolike dhe qytetit të Vatikanit – e cila ka status vëzhgues në OKB.

Një histori e shkurtër e njohjes së Palestinës

Më 15 nëntor 1988, gjatë viteve të para të Intifadës së parë, Yasser Arafat, kryetari i Organizatës për Çlirimin e Palestinës (OÇP), shpalli Palestinën si shtet të pavarur me Jerusalemin si kryeqytet.

Pas shpalljes, mbi 80 vende e njohën Palestinën si një shtet të pavarur, me mbështetje të fortë nga Jugu Global, përfshirë shtete në Afrikë, Azi, Amerikën Latine dhe botën arabe.

Shumica e vendeve evropiane që e njohën Palestinën në këtë kohë ishin pjesë e bllokut të mëparshëm sovjetik.

Disa vite më vonë, më 13 shtator 1993, bisedimet e para të drejtpërdrejta midis palestinezëve dhe izraelitëve çuan në nënshkrimin e Marrëveshjeve të Oslos, të cilat supozohej të sillnin vetëvendosje për palestinezët në formën e një shteti pranë Izraelit. Kjo nuk u realizua kurrë.

Në fund të viteve 1980 dhe në fillim të viteve 1990, afro 20 vende e njohën Palestinën, të ndjekura nga 12 të tjera midis viteve 2000 dhe 2010 – kryesisht nga Afrika dhe Amerika e Jugut.

Deri në vitin 2011, të gjitha vendet afrikane, me përjashtim të Eritresë dhe Kamerunit, e kishin njohur Palestinën.

Në vitin 2012, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së votoi me një shumicë dërrmuese (138 pro, 9 kundër, 41 abstenime) për të ndryshuar statusin e Palestinës në “shtet vëzhgues jo-anëtar”. Në vitin 2014, Suedia u bë vendi i parë në Evropën Perëndimore që e njohu Palestinën.

Më shumë vende evropiane njohin Palestinën

Më 22 maj 2024, Norvegjia, Irlanda dhe Spanja shpallën njëra pas tjetrës se po e njohin Palestinën sipas kufijve para vitit 1967, me Jerusalemin Lindor si kryeqytet.

Si përgjigje, Izraeli tërhoqi ambasadorët e tij nga të tre vendet evropiane dhe premtoi të zgjerojë vendbanimet ilegale në Bregun Perëndimor të pushtuar si ndëshkim.

Më 4 qershor, Sllovenia u bë vendi më i fundit evropian që e njeh shtetin palestinez.

Vende të tjera evropiane, si Malta dhe Belgjika, janë duke diskutuar nëse dhe kur do ta njohin shtetësinë palestineze.

Asnjë nga vendet e G7 – Kanadaja, Franca, Gjermania, Italia, Japonia, Mbretëria e Bashkuar apo Shtetet e Bashkuara – nuk e ka njohur ende Palestinën. /Al Jazeera/

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button