Kurtishi i përgjigjet Apasievit: Posta është rikthyer në funksion të plotë, qytetarët meritojnë fakte e jo dezinformata

Drejtori i Përgjithshëm i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, ka reaguar ndaj kritikave të liderit të Levicës, Dimitar Apasiev, duke e akuzuar atë për përhapje të gënjeshtrave, fyerjeve dhe populizmit politik në mungesë të fakteve.
Kurtishi pranoi se Posta nuk ka funksionuar për tre ditë si pasojë e motit të rëndë dhe problemeve teknike që ai shkaktoi, por theksoi se situata tashmë është tejkaluar.
“Po, Posta nuk ka punuar për tre ditë për shkak të motit të rëndë dhe pasojave teknike që ai shkaktoi, por sot puna është normalizuar plotësisht dhe të gjitha shërbimet postare zhvillohen pa pengesa”, deklaroi Kurtishi.
Ai kritikoi Apasievin për mënyrën se si, sipas tij, e ka shfrytëzuar situatën për përfitime politike, në vend që të tregonte mirëkuptim për rrethanat e jashtëzakonshme.
“Në vend që të tregojë mirëkuptim elementar për një situatë të jashtëzakonshme, Apasievi zgjodhi të përhapë dezinformata, të fyejë mijëra punonjës dhe të mbledhë pikë politike në kurriz të institucionit”, u shpreh drejtori i Postës.
Në përfundim, Kurtishi theksoi se Posta e Maqedonisë së Veriut nuk do të lejojë të bëhet objekt i, siç i quajti ai, frustrimeve politike.
“Posta e Maqedonisë së Veriut nuk do të jetë peng i frustrimeve politike të askujt. Qytetarët meritojnë fakte, e jo trillime dhe shfaqje të lira politike”, përfundoi Kurtishi.
