Kurtishi: Gjashtë automjete të reja për Postën e Kumanovës pas gati një dekade, së shpejti nis edhe renovimi i objektit

Drejtori i përgjithshëm i Postës së Maqedonisë së Veriut, Orhan Kurtishi, njoftoi se në Njësinë Rajonale të Postës në Kumanovë janë dorëzuar gjashtë automjete të reja për shërbimet postare, duke e cilësuar këtë si një investim të rëndësishëm për modernizimin e institucionit.
“Sot, në Njësinë Rajonale të Postës në Kumanovë, realizuam dorëzimin e automjeteve të reja për shërbimet postare”, bëri të ditur Kurtishi.
Sipas tij, bëhet fjalë për një investim që ka munguar për afro dhjetë vjet në këtë njësi rajonale.
“Gjashtë automjete të reja për Postën e Kumanovës përfaqësojnë një investim të rëndësishëm, i cili kishte munguar për gati 10 vite”, theksoi drejtori i përgjithshëm.
Kurtishi paralajmëroi se investimet në Kumanovë nuk do të ndalen vetëm me furnizimin e automjeteve, por do të vazhdojnë edhe në infrastrukturë.
“Investimet për Kumanovën do të vazhdojnë edhe më fuqishëm. Që nga muaji i ardhshëm do të fillojmë me renovimin e plotë të objektit, duke e shndërruar atë në një nga objektet më moderne në Republikën e Maqedonisë së Veriut”, deklaroi ai.
Në fund, Kurtishi theksoi përkushtimin e institucionit për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe zhvillimin e mëtejshëm të Postës.
“Vazhdojmë të punojmë me dinjitet dhe përgjegjësi, në shërbim të qytetarëve dhe zhvillimit të institucionit tonë”, u shpreh ai.



