Kurti paralajmëron ligj të ri për Dhomat e Specializuara: Grupi Punues ta sjellë draftin në javën e ardhshme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paralajmëruar se gjatë javës së ardhshme pritet të jetë gati drafti i parë i një ligji të ri për Dhomat e Specializuara të Kosovës.
Kurti ka bërë të ditur se ekspertët e angazhuar në këtë proces pritet t’ia dorëzojnë draftin gjatë javës së ardhshme, pas së cilës ai do të procedohet për diskutim dhe miratim në Kuvendin e Kosovës.
“Ne presim gjithashtu që në javën e ardhshme të na sjellin draftin e ri të një ligji të ri për Dhomat e Specializuara, në përputhje me kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë tonë”, ka deklaruar Kurti.
Ai ka theksuar se synimi është që ligji i ri të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe legjislacionin në fuqi, si dhe të mos përballet me pengesa që do ta pamundësonin zbatimin e tij.
“Për këtë na duhet një ligj që nuk kthehet mbrapsht, nuk anulohet, i cili ka efekt në realitet dhe praktikë”, ka theksuar ai.



