Kurti: Jemi qeveri në detyrë, opozita po kërkon ta lëmë shtëpinë pa zot shtëpie

Një ditë pasi dështoi seanca e konstituimit të Kuvendit e Albin Kurti njoftoi se është dorëhequr nga posti ekzekutiv i kryeministrit, është kthyer në Qeveri.

Në krye të tavolinës e si udhëheqës i mbledhjes, padyshim e nisi po ahme këtë temë.

I pari i kësaj qeverie në detyrë, akuzoi partitë tjera PDK, LDK, AAK e Lista Serbe për bllokadë.

Sipas Kurtit, kërkesa e tyre është e pamatur meqenëse duan ta lënë shtëpinë pa zot shtëpie.

Megjithëse, prapë përmendi se nga 23 marsi është efektive dorëheqja e tij dhe kabinetit qeveritar, meqenëse po atë ditë u ka skaduar mandati 4 vjeçar, ai insiston se ligji ua lejon që të vazhdojnë punën.

“Ligji për Qeverinë e bën të qartë se një qeveri në dorëheqje vazhdon të ushtrojë përgjegjësitë e saj (neni 30), ndonëse të kufizuara (neni 31), deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Mbledhja sot, dhe ushtrimi i kompetencave të tjera qeveritare, janë plotësisht të lejueshme, madje edhe të detyrueshme, sipas Ligjit. Pra, ne kemi funksione të kufizuara por assesi nuk mund të ketë ndalim funksionimi. Shteti nuk mund të ketë vakum qeverisje. Qeveria nuk mund të ketë ndalesë funksionimi”, ka deklaruar ai.

Kurti përmendi se këto janë praktika edhe nga e kaluara porse Ligji të cilit ai i referohet është miratuar tek në vitin 2022.

Këtë arsyetim e pati edhe Hekuran Murati, ministër në detyrë i Financave që doli në konferencë pas mbledhjes së Qeverisë bashkë me kolegun e tij nga Ministria e Kulturës.

Meqenëse, ekzekutivi insiston se kanë të drejtë edhe të ushtrojnë këto pozita deri në zgjedhjen e Qeverisë së re por edhe ato në legjislaturë të deputetëve, gazetarët e pyetën se cilën pagë do ta marrin.

“Pagat po besoj do të vazhdojmë t’i marrim si Qeveri në detyrë derisa e kryejmë këtë funksion por gjithsesi mund të shohim edhe praktika të kaluara që po besoj reflektojnë të njëjtën por mund të sigurohemi”, ka deklaruar Murati.

E sa i përket mundësisë së formimit të Qeverisë Kurti III, Murati nuk u tregua konkret veçse foli për procedurat që i presin.

“Fillimisht para se të vijmë tek votimi i Qeverisë kemi ngërçin që u krijua dje. Ne rast se mundësohet betimi i deputetëve, fillimisht kemi konstituimin e Kuvendit pra do të jetë vota për kryetarin dhe kryesinë, pastaj kemi mandatimin e kandidatit për Kryeministër nga Presidentja dhe tek pastaj është afati 15 ditor kushtetues që parasheh formimin e Qverisë, tek atëherë mund të flasim për këtë çështje”, ka theksuar Murati.

Në mbledhjen e Qeverisë në detyrë sot janë miratuar 12 vendime ndër to është emëruar Bordi i Drejtorëve të Ndërmarrjes Publike “Kompania Rajonale Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor Sh. A” Prizren, janë rialokuar 147 mijë euro për dy projekte kapitale: (1) “Parku i Aventurave” në Komunën e Kamenicës; dhe (2) “Ndërtimi i rrugës Dragancë e re dhe Dragancë e vjetër”, në Komunën e Novobërdës dhe të tjera.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button