Kryeministri Mickoski për vizitë pune në Stamboll

Kryetari i Qeverisë, Hristijan Mickoski, sot do të qëndrojë për një vizitë pune në Istanbul, ku do të marrë pjesë në një Forum Biznesi kushtuar bashkëpunimit ekonomik ndërmjet dy shteteve.

Pjesë e delegacionit qeveritar do të jenë edhe zëvendëskryeministri dhe ministri i Transportit Aleksandar Nikoloski, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timcho Mucunski, zëvendëskryeministri dhe ministri për Çështje Evropiane Bekim Sali, ministri i Ekonomisë dhe Punës Besar Durmishi, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska, si dhe drejtori i Zonave Teknologjike-Industriale për Zhvillim, Goce Dimovski.

Në forum do të marrin pjesë përfaqësues të lartë qeveritarë, biznesmenë dhe investitorë nga të dy vendet. Fokusi do të jetë te thellimi i bashkëpunimit ekonomik, rritja e shkëmbimeve tregtare, tërheqja e investimeve të reja, përmirësimi i lidhjeve infrastrukturore, bashkëpunimi energjetik dhe zhvillimi i projekteve të përbashkëta me rëndësi strategjike.

Në kuadër të programit janë paraparë panele tematike kushtuar tregtisë, industrisë, prodhimit dhe zinxhirëve të furnizimit, si dhe infrastrukturës, logjistikës dhe investimeve, ku do të marrin pjesë anëtarët e delegacionit qeveritar të Maqedonisë së Veriut.

Kryeministri Mickoski pritet t’i drejtohet ceremonisë përmbyllëse të Forumit të Biznesit, e cila do të nisë sot në mesditë. Vizita do të shfrytëzohet gjithashtu për takime politike me rëndësi për të dyja shtetet.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button