Kryeministri kanadez: Turqia aleate “jashtëzakonisht e rëndësishme strategjike” për Kanadanë

Kryeministri kanadez, Mark Carney e ka përshkruar Turqinë si një aleate kyçe të NATO-s dhe një fuqi të madhe rajonale, duke theksuar se Otava po punon në mënyrë aktive për të thelluar marrëdhëniet dypalëshe, transmeton Anadolu.
“Turqia është një aleate strategjike jashtëzakonisht e rëndësishme, një aleate e NATO-s”, u tha Carney gazetarëve gjatë një konference për media në Toronto.
Më tej, ai po ashtu theksoi rëndësinë rajonale të Turqisë.
“Në nivel rajonal dhe po e përdor këtë term me shkronjë të madhe R, sepse bëhet fjalë për një rajon shumë të gjerë, nga Ballkani deri në Lindjen e Mesme, Kaukaz dhe më tej, ajo është një nga partnerët ose fuqitë strategjike më të rëndësishme në atë rajon”, tha Carney.
“Ne kemi qenë duke thelluar marrëdhëniet, jemi ende në fazat e hershme dhe po vazhdojmë t’i thellojmë ato”, shtoi ai.
Carney konfirmoi se do të udhëtojë në Turqi për Samitin e NATO-s muajin e ardhshëm, duke shtuar se “me shumë gjasa sërish” do ta vizitojë vendin edhe më vonë gjatë këtij viti.
“Jemi në një proces të përcaktimit të mënyrave për thellimin e mëtejshëm të kësaj marrëdhënieje”, tha kryeministri kanadez.


