Kryediplomati turk dhe e dërguara e OKB-së diskutojnë për çështjen e Qipros
Fidan theksoi se qasjet që nuk i njohin të drejtat e natyrshme të popullit turko-qipriot, përkatësisht barazinë e tyre sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar, të bazuar në realitetet në ishull, nuk do të japin rezultate.

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, u takua me Maria Angela Holguin Cuellar, të dërguarën personale të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, për Qipron, në kryeqytetin turk Ankara, për të diskutuar zhvillimet e fundit lidhur me çështjen e Qipros.
Të dy shqyrtuan kontaktet e të dërguarës me dy udhëheqësit e ishullit javën e kaluar, sipas Ministrisë së Jashtme. Gjatë takimit, Fidan tha se Ankaraja i mbështet përpjekjet e Guterresit dhe shtoi se Turqia, si fuqi garantuese dhe atdhe, beson se zgjidhja më reale për çështjen e Qipros qëndron në bashkëjetesën e dy shteteve në ishull.
Fidan theksoi se qasjet që nuk i njohin të drejtat e natyrshme të popullit turko-qipriot, përkatësisht barazinë e tyre sovrane dhe statusin e barabartë ndërkombëtar, të bazuar në realitetet në ishull, nuk do të japin rezultate.
Qiproja është përfshirë në një mosmarrëveshje shumëvjeçare ndërmjet greko-qipriotëve dhe turko-qipriotëve, pavarësisht përpjekjeve të shumta diplomatike të OKB-së për të arritur një zgjidhje gjithëpërfshirëse. Sulmet etnike që filluan në fillim të viteve 1960 i detyruan turko-qipriotët të tërhiqeshin në enklava për sigurinë e tyre.
Në vitin 1974, një grusht shteti i organizuar nga elementë greko-qipriotë me synim aneksimin e ishullit nga Greqia çoi në ndërhyrjen ushtarake të Turqisë, si fuqi garantuese, për të mbrojtur turko-qipriotët nga persekutimi dhe dhuna. Si rezultat, Republika Turke e Qipros Veriore u themelua në vitin 1983.
Vitet e fundit është zhvilluar një proces i vazhdueshëm paqësor, përfshirë edhe iniciativën e pasuksesshme të vitit 2017 në Zvicër, nën kujdesin e vendeve garantuese Turqia, Greqia dhe Britania e Madhe.
Administrata greko-qipriote u anëtarësua në Bashkimin Evropian në vitin 2004, në të njëjtin vit kur greko-qipriotët bllokuan në mënyrë të njëanshme planin e OKB-së për t’i dhënë fund mosmarrëveshjes së gjatë në ishull.


