Konjufca: Kosova po diskriminohet nga ndërkombëtarët
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, e ka pritur në takim homologen nga Shqipëria, Elisa Spiropalin, duke u shprehur se këto dy vende kanë marrëdhënie të mëdha bashkëpunimi, raporton Anadolu.
Për procesin e dialogut me Serbinë, kryetari i Kuvendit, Konjufca ka thënë se Kosova gjithmonë është diskriminuar dhe nuk është trajtuar si palë e barabartë.
Ai ka shtuar para mediave se diskriminimi ka qenë që nga 2011-ta kur ka nisur procesi negociator.
“Gjithçka që ka pasur përmbajtje procesi negociator nga 2011 kur ka nisur deri te Marrëveshja e Ohrit që ishte marrëveshja e fundit në këtë proces, reagimet, qëndrimet dhe pozicionimet e BE-së dhe të institucioneve ndërkombëtare karshi kësaj që nënshkruam në relacion me Kosovën dhe Serbinë nuk janë të barabarta. Janë standarde të dyfishta e këtë do ta them gjithmonë dhe fuqishëm. Kosova është diskriminuar, po përjeton padrejtësi në këtë proces”, ka deklaruar kreu i Kuvendit.
Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ka thënë se në Kosovë ndihet si në shtëpinë e saj dhe ka thënë se Kosova është prioritet kombëtar i Shqipërisë.
Ajo ka folur edhe për dialogun Kosovë – Serbi. Ka thënë se duhet medoemos të ketë si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjore që mundëson njohjen e ndërsjellë.
“Dialogu Kosovë – Serbi në koordinim të plotë me partnerët tanë strategjik SHBA-në e BE-në, duhet të ketë medoemos si rezultat nënshkrimin e një marrëveshjeje të detyrueshme ligjërisht që mundëson njohjen e ndërsjellë, anëtarësimin e Kosovës në OKB e BE, si dhe trajtimin e drejtë të minoriteteve konform kushtetutës. Është proces i gjatë por herët a vonë në fund të tunelit do të ketë medoemos një dritë, që do të dëshmojë realitetin e pakthyeshëm gjeopolitik – republikën më të re evropiane të Kosovës”, ka thënë Spiropali.
Ajo ka thënë se në Tiranë është bindja e palëkundur se Kosova do ta përmbyllë këtë proces me vizion euroatlantik, si partner serioz e i fortë për partnerët strategjikë.