Konflikti Indi-Pakistan: Çfarë po thonë të dyja palët!

Pakistani ka ndërmarrë disa sulme duke përdorur dronë dhe municione të tjera përgjatë gjithë kufirit perëndimor, deklaroi ushtria indiane të premten në mëngjes.
Sipas ushtrisë, sulmi ndodhi gjatë natës mes të enjtes dhe të premtes, dhe trupat pakistaneze po ashtu kanë kryer shkelje të shumta të armëpushimit përgjatë Vijës së Kontrollit në pjesën e Kashmirit të administruar nga India.
Vija e Kontrollit është një kufi de facto që ndan rajonin e diskutueshëm të Himalajeve mes dy rivalëve të përhershëm.
Ushtria pakistaneze i mohoi akuzat dhe deklaroi se India “po shpik histori”.
“India po thotë se Pakistani ka sulmuar në disa lokacione; kjo është një histori fantastike, dhe mund të qeshësh me të,” tha një zëdhënës i ushtrisë pakistaneze.
“Ata jetojnë në shekullin XVIII apo në shekullin XXI, kur çdo predhë lë një gjurmë digjitale?” shtoi ai.
Kashmiri
Pesë civilë janë vrarë nga bombardimet indiane gjatë natës në pjesën e Kashmirit të administruar nga Pakistani, njoftoi policia, pas disa ditësh shkëmbimesh zjarri mes fqinjëve me armë bërthamore.
“Forcat indiane bombarduan zona civile, duke vrarë pesë persona, përfshirë një vajzë dyvjeçare, dhe duke plagosur dymbëdhjetë të tjerë,” tha për AFP zyrtari i policisë Adeel Khan, me bazë në rrethin Kotli, duke shtuar se bombardimet vazhduan deri vonë gjatë natës.
Vdekjet u konfirmuan edhe nga një zyrtar i lartë i qeverisë në Muzaffarabad.
“Në përgjigje, Ushtria e Pakistanit ndërmori një kundërsulm të fuqishëm, duke goditur tre poste indiane përtej Vijës së Kontrollit (LoC).”
Sipas zyrtarëve, të paktën 16 persona janë vrarë përgjatë Vijës së Kontrollit në Kashmirin e administruar nga India.
India ka mbyllur deri në 27 aeroporte në veri të vendit deri më 10 maj, raportoi transmetuesi shtetëror DD News.
Po ashtu, u raportua se rreth 430 fluturime civile janë anuluar.
Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit u përshkallëzuan këtë javë pasi India shpalli “Operacionin Sindoor” vonë të martën në mbrëmje, duke thënë se kishte goditur nëntë lokacione brenda Pakistanit.
Ushtria pakistaneze deklaroi se 31 persona janë vrarë nga sulmet me raketa dhe shkëmbimet e zjarrit nga ana e Indisë në pjesën e Kashmirit të administruar nga Pakistani.