Komunat franceze urdhërohen të heqin flamujt palestinezë të vendosur pas njohjes nga Macron

Pak ditë më parë, kur Presidenti francez Emmanuel Macron njohu shtetësinë e Palestinës, 86 komunave në Francë vendosën flamurin palestinez për të festuar këtë veprim – duke sfiduar urdhërat e Ministrisë së Brendshme të Macronit për të mos e bërë këtë.
Deri të mërkurën, disa prej tyre e hoqën flamurin pasi autoritetet rajonale nisën procedura ligjore – një hap që disa kryebashkiakë thanë se minonte mesazhin e solidaritetit që Macron synonte të jepte me njohjen kryesisht simbolike.
“Për mua kjo është një keqkuptim total,” tha Raphael Adam, kryebashkiaku i Nanterres pranë Parisit, për Reuters. “Nuk mund të kesh një qeveri që i kërkon përfaqësuesve të saj të mos ngrejnë një flamur në të njëjtën kohë që po njeh shtetin.”
Qyteti ngriti flamurin në një ceremoni të hënën, por një ditë më vonë gjykata administrative e Nanterres vendosi që ai duhej hequr, pasi qyteti sfidoi urdhrin e përfaqësuesit rajonal për ta larguar.
Sipas ligjit francez, ndërtesat publike nuk mund të përdoren si platforma për shprehje politike, fetare ose filozofike.
“Kur ngritëm flamurin ukrainas, askush nuk na tha asgjë!” tha Gilles Poux, kryebashkiaku i La Courneuve, në verilindje të Parisit, i cili planifikonte të hiqte flamurin të martën vonë pasi administrata e tij u gjobit për ngritjen e një flamuri më parë gjatë këtij viti.
“Të flasësh për neutralitet është hipokrizi. Liri, barazi, vëllazëri: nuk ka asgjë neutral në këto vlera,” shtoi ai.



