Komisioni Evropian: Meta ka shkelur rregullat për sigurinë e fëmijëve

Komisioni Evropian deklaroi sot se Meta Platforms ka shkelur Aktin e Shërbimeve Digjitale (DSA) për dështimin në parandalimin e fëmijëve nën moshën 13-vjeç për të hyrë në Instagram dhe Facebook, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë, KE-ja tha se Meta nuk ka marrë masa të mjaftueshme për të “identifikuar, vlerësuar dhe zbutur me zell” rreziqet e lidhura me të miturit që përdorin platformat e saj, pavarësisht rregullave të veta që vendosin moshën 13-vjeç si moshën minimale.

Ekzekutivi i BE-së tha se masat ekzistuese mbrojtëse janë joefektive, duke vënë në dukje se fëmijët mund të anashkalojnë lehtësisht kufizimet e moshës duke futur të dhëna të rreme të lindjes pa një verifikim të duhur. Ai kritikoi mjetet e raportimit të Metës, duke thënë se ato janë “të vështira për t’u përdorur” dhe dështuan në sigurimin e ndjekjes së rasteve kur përdoruesit nën moshë raportoheshin.

KE-ja tha se vlerësimi i rrezikut i Metës është “i paplotë dhe arbitrar”, duke nënvlerësuar shkallën e problemit pavarësisht provave që sugjerojnë se rreth 10-12 për qind e fëmijëve nën 13-vjeç në BE hyjnë në Instagram ose Facebook.

“Meta duhet të rishikojë metodologjinë e saj të vlerësimit të rrezikut dhe të forcojë masat për të parandaluar, zbuluar dhe hequr përdoruesit nën moshë, duke siguruar nivel të lartë të privatësisë dhe sigurisë për të miturit”, tha KE-ja.

Meta tani mund t’u përgjigjet gjetjeve paraprake dhe të propozojë zgjidhje. Nëse konfirmohet, KE-ja mund të nxjerrë vendim për mospërputhje dhe të vendosë gjoba deri në 6 për qind të xhiros vjetore globale të kompanisë.

Gjetjet janë pjesë e një hetimi në vazhdim të nisur në maj 2024 dhe nuk paragjykojnë rezultatin përfundimtar.

Të ngjajshme

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button